Connect with us

Lajme

Rama takon Ursula von der Leyen: Ka plan të qartë për negociatat (VIDEO)

Publikuar

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përmes një videomesazhi në faqen e tij të Facebookut dha detaje rreth takimit të zhvilluar një ditë më parë me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Kreu i qeverisë shqiptare tregoi se bisedoi me shefen e KE-së rreth Konferencës së Donatorëve që pritet të mbahet në Bruksel për të ndihmuar Shqipërinë për të përballuar pasojat nga tërmeti i 26 nëntorit.

Sipas Ramës, presidentja shprehu angazhimin për të ndihmuar Shqipërinë në këtë proces të vështirë.

“Ishte një bisedë që kishte një pjesë të madhe informative për situatën pas tërmetit që nga familjet e prekura tek raporti i dëmeve që po bëhet bashkë me ekspertët, masterplani i rindërtimit, kalendari i procesit dhe plani ynë i financimit të këtij aksioni masiv që nga dëmet tejkalon mundësitë tonë”.

“Presidentja i ka kushtuar një vëmendje të veçantë kësaj ngjarje që në ditën e parë të tërmetit dhe takimi i mbrëmshëm ishte konfirmim për angazhimin e saj për të mbështetur operacionin e rindërtimit. Ne e dimë mirë që shuma e mundshme që mund të mblidhet nga ajo konferencë nuk do t’i përmbushë të gjitha nevojat. Plani i presidentes Ursula von der Leyen shkon përtej konferencës”.

Më tej, kryeministri Rama u shpreh se bisedoi me Ursula von der Leyen edhe për procesin e integrimit. Kreu i mazhorancës tha se presidentja ka një strategji konkrete për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Temë diskutimi ishte edhe përshpejtimi i procesit të integrimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. E sigurt që presidentja ka një strategji konkrete për objektin e hapjes së negociatave. Është e sigurt që përsëri fati i vendimit mbi hapjen do të varet mbi ecurinë e debatit të brendshëm të BE-së”.

“Presidentja e sheh me entuziazëm përpjekjen për ta çuar para procesin e Berlinit përmes marrëveshjeve që do të çojnë në lehtësimin e të gjithë lëvizjes në rajonin tonë dhe finalizimin e Shengenit në Ballkan dhe BE-ja do të luajë rolin e saj për këtë gjë qoftë dhe financiarisht”, përfundoi Rama. /A2 CNN



NA NDIQ NË FACEBOOK