Kosovë
Qeveria Kurti: Flasin deputetw nga LDK, PDK e AAK

Diskutimi publik “Kuvendi në sytë e të rinjve: Sfidat që duhet të adresohen nga legjislatura e VII-të”, të organizuar nga KDI, u dominua nga pyetjet për marrëveshjen për koalicion mes VV-së dhe LDK-së.
E përgjigja që morën qytetarët ishte se të dy partitë politike kanë vullnet dhe besojnë se një marrëveshje e tillë do të arrihet në mënyrë që të hënën kur do të mbahet seanca do të votohet një qeveri e këtyre dy partive.
Deputeti i Vetëvendosjes Artan Abrashi, është shprehur i bindur se të hënën do të votohet qeveria e re e Kosovës dhe se kryeministër do të jetë kryetari i VV-së, Albin Kurti.
“Them të drejtën unë ende besoj që do të ketë një marrëveshje. Në fillim kemi pas bindje që kjo çështje është pothuajse çështje e kryer, menjëherë pas certifikimit të rezultateve, për fat të keq dolën disa komplikime në rrugë të cilat nuk është që kemi pritur, po flas nga perspektiva e LVV-së. E di që kjo çështje është stërzgjatur shumë, natyrisht edhe qytetarët kanë filluar me e humb durimin me plotë të drejtë. Mirëpo, më mirë le të zgjatet ky proces e le të bëhet mirë, sesa të mbeten shumë çështje të pasqaruara, e pastaj të dalin probleme siç i kemi pasur në të kaluarën. Le të jetë një marrëveshje, uroj të bëhet fillimisht, e cila shtjerr deri në pikën dhe detajin e fundit, pra sqarohet çdo dilemë e mundshme që në momentin kur nis qeveria punën e vet të mos shfaqen pastaj ato problemet e padiskutuara gjatë kohës së qeverisjes. Kanë mbetur edhe 48 orë.. . patjetër që po, po besoj që po”, tha ai.
Ndërsa deputeti i LDK, Besian Mustafa, tha se në LDK ekziston vullneti që të ketë marrëveshje me LVV dhe të hënën të votohet një qeveri.
Ai tha se ekziston mundësia reale që të hënën të ketë një qeveri të përbashkët mes LDK dhe LVV-së.
“A ekziston ende vullneti në LDK që të kemi një marrëveshje bashkëqeverisëse me LVV, përgjigja është po. A do të mund të arrijmë që ato dallimet që kanë qenë të mëdha në fillim, jemi parti të ndryshme në aspektin e plan programeve të cilat kemi arritur ato dallime t’i zvogëlojmë, pra kanë mbetur dallime të vogla në mes të dy partive tona në aspektin politik, në aspektin programor nuk ka mbetur thuajse asnjë. Pra, a ekziston mundësia reale që të hënën të kemi një qeveri të përbashkët, po…Si deputet i LDK-së po them që qoftë në grupin parlamentar të LDK-së, pra nga 28 deputetë, qoftë në organet e LDK-së vazhdon të ketë vullnet për të arritur një marrëveshje bashkëqeverisëse, pra që të votojmë një qeveri të përbashkët të hënën…Unë po shpresoj që të ketë një kryeministër të hënën, natyrisht këto janë institucione pa të cilat nuk mund të vazhdohet tutje. Ato janë detaje të marrëveshjes politike, po pa një marrëveshje politike në mes të dy partive nuk do të kemi qeveri të hënën, pastaj ato detaje teknike të marrëveshjes politike nuk mund t’i diskutoj pa u finalizuar, mirëpo e rëndësishme do të ishte që të kemi një marrëveshje deri të hënën ose të dielën”, tha ai.
Në rast të mos arritjes së marrëveshjes mes LVV dhe LDK, LVV nuk mund të pres në votat e partive politike opozitare.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se si parti nuk kanë qenë pengesë në krijimin e institucioneve të vendit, derisa theksoi se qysh me 6 tetor kanë deklaruar se do të jenë në opozitë.
“Ne jemi pro krijimit të qeverisë, ne jemi distancuar që nga 6 tetori, do të thotë jemi deklaruar ende pa u mbyll rezultatet kryetari ka dal dhe është deklaruar që ne shkojmë në opozitë. Kështu që, nuk kemi qenë pengesë në këtë proces”, tha ajo.
Një koalicion mes LVV dhe LDK nuk do të mund të funksionojë sipas deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Albena Reshitaj, pasi bashkëjetesa mes këtyre dy partive është jo natyrale.
“Kosovës më shumë se kurrë sot i nevojitet një koalicion i besueshëm, praktik, i cili do të fillojë të bëjë ndryshimet në të ardhmen. Unë dyshoj dhe AAK dyshon shumë që një koalicion i tillë do të jetë funksional, do të arrijë, sepse nuk është i natyrshëm, është shumë divergjent në ideologjinë e tyre dhe mendoj që Kosova është e vogël për me e pas kaq shumë ose për me krijua kaq shumë zhgënjime tek popullata ose për me krijua kaq shumë mjegull. Mendoj shumë që në një moment në të cilin është Kosova, në një udhëkryq shumë të rëndësishëm historik, po edhe shumë të rrezikshëm për të ardhmen tonë ne duhet t’i bashkojmë të gjitha forcat politike dhe të bëjmë diçka të përbashkët që bashkërisht të marrim përgjegjësi në vendimmarrjet e duhura të cilat na presin neve”, tha ajo.
Sa i përket asaj se a do ta votojnë një qeveri të hënën, Reshitaj tha se do të jenë opozitë.
Ndërsa, deputetja Mirlinda Sopi nga AKR tha ende si parti nuk kanë një vendim se a do ta votojnë apo jo, por që potencoi se është dëshmuar që nuk ka marrëveshje për parime.
“Nëse pyetem si Mirlindë më ka dëshpëruar sepse tash është dëshmuar që nuk ka marrëveshje për parime dhe nuk janë duke u diskutuar parimet dhe programi. Nëse pyetem si Mirlindë kam shumë dilemë, ndërsa sa i përket partisë nuk kemi vendim dhe ende nuk kemi dal me një qëndrim se do të jemi pro ose kundër”, tha ajo.
Një çështje që është diskutuar nga deputetët është nevoja që Kosova të ndahet në zona zgjedhore, ku shumica ishin përkrahës së idesë që Kosova të ndahet në zona zgjedhore.
Deputeti i LDK-së Besian Mustafa tha se e përkrahë idenë që Kosova të ndahet në zona zgjedhore, pasi sipas tij kjo do të ndikojë që të trajtohen të gjitha problemet e qytetarëve.
“Mendoj që do të ishte ide e mirë që të kemi disa zona, jo shumë, të kemi 5 ose 6 zona zgjedhore, që të kemi një përfaqësim më të drejtpërdrejtë të atyre kërkesave, nevojave dhe interesave të atij regjioni”, tha ai.
E të njëjtit mendim ishte edhe deputetja e PDK-së Eliza Hoxha.
“Kjo e ndihmon balancimin e prezantimit regjional dhe njëkohësisht po besoj që në kuptim të adresimit të investimeve e balancon edhe atë pjesë”, tha ajo.
Por, një ide të tillë nuk e përkrah deputeti i VV-së Artan Abrashi, i cili tha se një ide e tillë do të funksiononte në një shtet që është shumë më i madh se Kosova. Ai tha se rajonet do të kishin një përfaqësim më të madh, por Kuvendi do të shndërrohej në një arenë e përfaqësimit rajonal, që sipas tij, në rrethanat moderne nuk është shumë efektiv.
“Rrezikon të rajonizojmë politikën, të rajonizojmë Kuvendin. Do të thotë një deputet nëse vjen nga Prizreni tendencën e kanë që gjithmonë problemet e Prizrenit t’i paraqesë si më prioritare, duke i anashkaluar çështjet që kanë të bëjnë me Prishtinën, Pejën”, tha ai.
Në këtë diskutim publik, deputetët e partive politike që do të jenë për herë të parë në Kuvendin e Kosovës kanë treguar se cilat do të jenë prioritetet e tyre gjatë kësaj legjislature. Shëndetësia, arsimi, ekonomia, sporti dhe kultura ishin disa nga prioritetet e këtyre deputetëve.




















