Lajme
Procesi gjyqësor “Monstra” formalisht kthehet nga fillimi

Procesi gjyqësor për rastin “Monstra” për të tretën herë do të nisë nga fillimi, por këtë herë vetëm formalisht. Arsyeja është ndërrimi i gjykatëses porote, mandati i së cilës skadon në mars, por edhe dorëheqja e porotes, raporton TVM2.
Gjykata tashmë ka caktuar gjykatëse të re porote, por për dallim nga rasti “TNT”, këtu të akuzuarit dhe mbrojtja janë pajtuar që gjykimi të fillojë aty ku ka ngelur. Aktakuza e vjetër dhe ajo e reja e PSP-së, fjalët hyrëse, deklaratat e dëshmitarëve dhe ekspertëve të shumtë, provat materiale, mbi 3,000 biseda, nuk do të përsëriten. Të akuzuarit, Agim Ismailoviç, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta ranë dakord që gjyqtarët, Ognen Stavrev dhe Osman Shabani, t’i vënë të gjitha këto në procesverbalin e ri dhe gjykimi të vazhdojë aty ku ka ngelur.
“Mbrojtja u pajtua, në vend që të rishfaqen provat, gjykimi të fillojë formalisht nga fillimi vetëm duke bërë transmetimin e të gjitha deklaratave dhe fakteve të deritanishme në procesverbalin e ri, me çka procesi vazhdon aty ku është ngelur në seancën e fundit, e ajo është prezantimi i provave të reja dhe marrja në pyetje e dëshmitarëve të rinj. Në këtë mënyrë, gjykata, në pajtim me mbrojtjen dhe duke vepruar në përputhje me dispozitat ligjore, nuk lejoi ndonjë stërzgjatje të mëtutjeshme të procedurës, e cila është me interes para së gjithash për të akuzuarit dhe të dëmtuarit.”,,- thanë nga Gjykata Penale.
Në sallën e gjyqit, prindërit e djemve dorëzuan video të bisedave në Kuvend, si prova shtesë. Edhe prokuroria njoftoi se do të thërrasë dëshmitarë të rinj, e ata janë: Zoran Trajkovski, Zvonko Kostovski dhe Zoran Zaev. Dhe mbrojtja me prova shtesë, do të ftojë të dëshmojnë zyrtarët e parë që kanë arritur në vendin e ngjarjes. Në rastin “Monstra”, të akuzuar janë 6 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviç janë në arrati. Atyre u caktua avokat i ri, sipas detyrës zyrtare, pasi avokati, Naser Raufi, u tërhoq si mbrojtës i tyre.















