Kosovë
Pallaska: Nëse kryeparlametari i mbetet LV-së pas skadimit të mandatit të Presidentit, i bie që të ketë pushtet absolut

Njohësi i çështjeve politike në vend, Dastid Pallaska, i ka bërë një analizë situatës politike në vend, konkretisht bllokadës së krijuar nga LV e LDK, të cilat ende nuk po arrijnë të bëjnë një marrëveshje për koalicionin qeverisës.
Pallaska e ka quajtur betejë jofisinike insisitimin e të dy partive për kryetarin e Kuvendit.
Megjithatë, Pallaska ka vënë në dukje rëndësinë politike që ka posti i kryeparlamentarit, ku Kushtetuta e Kosovës e përcakton kryeparlammentarin si pozitë që ushtron funksionin e Presidentit, përcjell periskopi.
Bazuar në këtë, Pallaska ka analizuar ecurinë e mundshme të proceseve politike në rast që arrihet marrëveshja në mes LV-së dhe LDK-në për bashkëqeverisje.
Në këtë kontekst, analisti vlerëson se nëse Vetëvendosje do të vazhdojë ta ketë postin e kryetarit të Kuvendit edhe pas skadimit të mandatit të Presidentit, atëherë i bie që partia e Albin Kurtit do të ketë pushtet absolut.
Pallaska e arsyeton duke vënë në dukje vështirëistë e mëdha për zgjedhjen e Presidentit.
Lexoni të plotë analizën e Dastid Pallaskës:
Beteja jofisnike për pozitën e Kryeparlamentarit
Në shikim të parë, mosmarrëveshja e LDK-së dhe LVV-së për pozitën e Kryeparlamentarit mund të duket absurde. Si është e mundur që një koalicion që është ngritur mbi pretendime të larta morale – aq sa edhe është vetëpagëzuar si “koalicion i shpresës” – të mos materalizohet për një arsye kaq jofisnike.
Mosmarrëveshja nuk ka kuptim as kur vlerësohet rëndësia e ngushtë kushtetuese e pozitës së Kryeparlamentarit, si një moderator i glorifikuar i një debati që – në rrethanat e Kosovës – zakonisht është sipërfaqësor dhe pa ndikim real në politikëbërje.
Ky iluzion optik shmanget vetëm kur vlerësohet pozita e Kryeparlamentarit përtej funksionit primar kushtetues dhe nën kontekstin e ngjarjeve politike që pritet të ndodhin në shkurt të vitit 2021, nëse nuk provokohen më herët nga ndonjë faktor i jashtëm.
Neni 90 i Kushtetutës e përcakton Kryeparlamentarin si pozitë që ushtron funksionin e Presidentit në rast të mungesës së përkohshme të këtij të fundit për disa arsye të dhëna aty.
Edhe pse nuk parashihet shprehimisht me Kushtetutë, kjo dispozitë kushtetuese është aplikuar në rastet kur pozita e Presidentit ka mbetur vakante për shkak të vonesave në zgjedhjen e Presidentit, siç ishte rasti kur ish Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, ushtroi këtë pozitë për rreth gjashtë muaj gjatë viteve 2010 – 2011.
Siç dihet, mandati i Presidentit aktual do të skadojë për pak më shumë se një vit. Duke marrë parasysh se koalicioni i vetëquajtur i shpresës – edhe sikur të bëhet – nuk do të ketë votat e mjaftueshme për administrimin e procesit e aq më pak zgjedhjen e Presidentit, është më se e sigurt që zgjedhja e Presidentit do të kërkon kohë të konsiderueshme.
Nëse udhëhiqemi nga vonesat që po shoqërojnë negociatat për krijimin e Qeverisë dhe gjuha qëllimisht e dykuptimtë e marrëveshjes eventuale për zgjedhjen e Presidentit nga “koalicioni i shpresës,” i bie që zgjedhja e Presidentit mund të zvarritet me muaj e, ndoshta, edhe me vite.
Kjo posaçërisht pasi që vendi shkon në zgjedhje vetëm nëse dështon zgjedhja e Presidentit, votohet mosbesimi i Qeverisë apo votohet shpërbërja e Kuvendit, të tre këta skenarë kushtetues vështirë të zbatueshëm nën rrethanat mbizotëruese politike dhe kushtetuese.
Për të dështuar zgjedhja e Presidentit është e nevojshme që të fillojë procesi i zgjedhjes. Cilado prej partive të “koalicionit të shpresës” që janë të interesuara ta zvarrisin këtë proces e kanë shumë lehtë për ta bërë këtë për shkak të një vendimi absurd te Gjykatës Kushtetuese që kërkon kuorum prej 2/3 me rastin e zgjedhjes së Presidentit.
Rrëzimi i Qeverisë me votë mosbesimi apo shpërbërja e Kuvendit janë edhe më pak të realizueshme pasi që kërkojnë bashkëpunimin e njërës parti të “koalicionit të shpresës” me partitë që formuan Qeverinë e koalicionit PAN.
Nën këtë kontekst kushtetues-politik, po që se pozita e Kryeparlamentarit i mbetet LVV-së, pas skadimit të mandatit aktual të Presidentit LVV do të ketë pushtet absolut, duke i mbajtur efektivisht të tri pozitat kryesore të shtetit, Presidentin, Kryeparlamentarin dhe Kryeministrin.
LVV do të kishte kontroll të plotë mbi procesin e zgjedhjes së Presidentit nëpërmjet bllokimit të formimit të kuorumit prej 2/3, që është i nevojshëm për fillimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit. Negociatat për kandidatët potencial për President LVV do t’i udhëhiqte nga komoditeti i kohës që mund ta ketë vetëm partia që mban pozitën e Presidentit me ushtrues detyre.
Situata do të përkeqësohej kur merret parasysh fakti se për ta zgjedhur Presidentin pa LVV-në apo për ta rrëzuar LVV-në nga pushteti – duke prishur kështu edhe “koalicionin e shpresës” – LDK-së do t’i duhej të “bashkëpunonte” me partitë që ishin pjesë e koalicionit PAN. I njëjti kurth politik do të aktivizohej po që se LDK-së i shkon në mendje që ta votojë shpërbërjen e Kuvendit që kërkon 2/3 e votave.
Duke qenë qenë që bashkëpunimi i LDK-së me partitë e PAN-it për cilindo nga skenarët kushtetues të përmendur më lartë do të ishte një vetëvrasje e sigurt politike, vendi do të paralizohej në një status quo pa afat, nën pushtetin absolut të LVV-së.
Kjo do të thotë se shkaku i mosmarrëveshjes për krijimin e “kalocionit të shpresës” nuk është një pozitë protokolare por thjeshtë përpjekja për vendosjen e pushtetit absolut nga një parti që ka vetëm një votë më shumë në Kuvend.
E në këtë nuk ka asgjë fisnike!



















