Lajme
OKB-ja tregon se përmbajtjen e tmerrshme të mesazhit hakues të bin Salmanit ndaj Bezosit

Mesazhi duket se nuk ka mundur të jetë më i qartë.
Më 8 nëntor 2018, vetëm një muaj pas vrasjes së Jamal Khashoggit, Jeff Bezosi, njeriu më i pasur në botë, mori një tekst nga llogaria e WhatsAppit e Mohammed bin Salmanit.
Sipas OKB-së, mesazhi nga princi i kurorës së Arabisë Saudite përmbante një fotografi të vetme në të cilën shfaqej një grua me të cilën miliarderi i martuar kishte një lidhje të fshehtë. Po ashtu përmbante edhe një mesazh të hidhur.
Aty lexohej: “Të grindesh me një grua është njësoj si të lexosh Marrëveshjen e Licencës Softverike. Në fund duhet të shpërfillni gjithçka dhe të klikoni “Unë Pajtohem.””
Për Agnes Callamardin, raportuesen speciale të OKB-së që po hetonte vrasjen e Khashoggit, dukej se mesazhi ishte evidencë e një përpjekjeje nga mbreti i ardhshëm për të “intimiduar” Bezosin, shkruan The Guardian, përkthen Periskopi.
Ajo i tha Guardianit se ajo dukej se donte ta bënte Bezosin të dukej i lëndueshëm, në kohën kur gazeta e këtij të fundit, the Washington Post, vazhdonte të publikonte artikuj të fortë rreth vrasjes së njërit prej gazetarëve të saj [sepse Khashoggi punonte për Washington Post].
OKB-ja zbulon po ashtu, se telefoni i Bezosit ishte hakuar nga Arabia Saudite edhe muaj përpara se të vritej Khashoggi, e që tregon për një fushatë të orkestruar kibernetike që shënjestronte Bezosin.
Callamard tha: “Kjo tregon se gjatë kësaj periudhe, kishte një përpjekje të përbashkët për të hakuar sistemin e njerëzve që konsideroheshin si kërcënim për Mohammed bin Salmanin apo për sistemin e qeverisë së Arabisë Saudite.”
Kjo gjë mund të dëmtojë relacionet mes ShBA-ve dhe Arabisë Saudite, dhe do të ndryshonte përgjithnjë politikën në Lindjen e Mesme. Mohammed bin Salman është e vështirë që të dënohej nga vendi i tij, apo mbreti në detyrë, në mënyrë që të ruheshin marrëdhëniet me ShBA-në./Periskopi






















