Lajme
Një person ia vuri zjarrin veturës së policisë dhe i gjuajti policëve

Mëngjesin e së hënës, rreth orës 2:10, një person i panjohur ka dashur t’ia vejë zjarrin veturës së policisë “Chevrolet Spark”, e cila ishte e parkuar para ish objektit të Shtëpisë së ARM-së.
Rastin e konfirmoi edhe SPB në Kumanovë. Në një kumtesë për media bëhet e ditur se zjarrvënësi i veturës më pas edhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të policëve.
“Më datë 20.01.2020, rreth orës 2:10, zyrtarë policorë pranë SPB të Kumanovës, në bulevardin “Brigada e tretë maqedonase” kanë vërejtur një person duke t’i vënë zjarrin veturës policore “Chevrolet Spark”, e cila ishte e parkuar para ish godinës së Shtëpisë së ARM-së. Pasi që ka parë se është vërejtur nga policët, zjarrvënësi është arratisur, por shumë shpejt është parë në rrugën “Boro Përcan”, ku në vend se t’i përgjigjet urdhrit të policëve për ndalim, ai nxjerr revolen dhe shkrep disa plumba në drejtim të tyre dhe sërish ka ikur nga vendi i ngjarjes. Për fat të plagosur nuk ka. Vetura e kapluar nga zjarri është shuar nga ana njësitit të zjarrfikësve.”,-thuhet pos tjerash në kumtesën e SPB të Kumanovës, transmeton TVM2.
Në koordinim me prokurorin publik është kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes, kurse shërbimet e SPB të Kumanovës po punojnë në zbardhjen e rastit.















