Sport
Nga Kosova e Prishtinës te Napoli, rrugëtimi i jashtëzakonshëm i Amir Rrahmanit

Futbollisti nga Prishtina, i cili aktivizohet si qendërmbrojtës, me shumë sukses po luan me Hellas Veronan në Itali dhe me Kombëtaren e Kosovës.
25-vjeçari ka lëshuar rrënjë në përbërjen e parë të Veronas, derisa ka shkëlqyer edhe me Kosovën, që drejtohet nga trajneri zviceran Bernard Challandes.
Rrahmani në verë do të ngjitet në nivele më të larta, teksa do ta vesh fanellën e gjigantit të Serie A, Napoli – aty ku ka luajtur edhe i famshmi Diego Armando Maradona, shkruan lajmi.net.

Por nga ku nisi dhe si shkoi karriera e tij në Kosovë? Lajmi.net ka kontakuar me dy ish-trajnerët që kanë stërvitur Rrahmanin në periudha të ndryshme, Haki Bllacakun e Kosovës së Prishtinës dhe Tahir Lushtakun e Drenicës, të cilët vërtetuan më së miri pse Amiri po kalon nëpër këto nivele.
Amir Rrahmani hapat e parë në futboll filloi t’i merrte te Kosova e Prishtinës, më saktësisht në vitin 2003 (9 vjeç) – vetëm katër vite pasi Kosova kishte dalë nga lufta shkatërrimtare, ku çdo gjë ishte e ‘shkrumuar’, por as kjo nuk e ndali yllin e Kosovën të besonte në ëndrrën e tij.

Bllacaku e kujton mirë herën e parë kur Amiri kishte ardhur te Kosova e Prishtinës:
‘’Në vitin 2003 ai ka ardhur për herë të parë te ne. Si fillestar, ka tentu gjithmonë të ketë lëvizshmëri dhe përgatitej mjaft mirë. Roli që luajti atëherë e kishte fillestar, por që ka progresuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Ishte tipik lojtar i fundit, qendërmbrojtësi dhe më vonë zhvilloi aftësitë e tij’’, tha aktualisht drejtori sportiv i Kosovës së Prishtinës, asokohe trajneri i moshave të reja.
‘’Kur filloi të luante me U13, vërehej se ai kishte dashuri të madhe për futbollin. Ai qëndroi gjashtë vite me ne dhe padyshim që punoi shumë përgjatë atyre viteve’’.
Rrahmani qëndroi te Kosova e Prishtinës deri në vitin 2009, më pastaj kaloi te skuadra tjeter kryeqytetase, Ramiz Sadiku. Por pse ndodhi kjo e shpjegon Bllacaku.
‘’Ai shkoi te Ramiz Sadiku sepse e kishte shtëpinë më afër. Trajneri Fazliu në atë kohë e dërgoi te Ramiz Sadiku’’, tha ai për lajmi.net.
Gjithsesi, drejtori sportiv i skuadrës prishtinase beson se Amiri gradualisht do të ngritet edhe më shumë.
‘’Me ndërrimet e shpeshta të ekipeve, do të thotë çdo herë t’u u rrit – unë besoj se do të ketë edhe ngritje më të madhe se që është tash. Ai ka avancu shumë mirë. Edhe pse asokohe zhvillohej futboll amator, Amiri gjithmonë e ka përcjell me profesionalizëm dhe duket se kjo i ka sjellur shumë dobi. Me punë arrihet gjithçka, përfundoi ai.
Mbrojtësi i Hellas Verona luajti për dy vite me Ramiz Sadikun, aty ku edhe për herë të parë debutoi si senior në Ligën e Dytë të Kosovës.
Paraqitjet e tij të mira me ekipin e Ramiz Sadiku bën që në vitin 2011 ai të transferohej te Drenica, që luante në ligën elitare të Kosovës.

Skuadra nga Skenderaj drejtohet nga Tahir Lushtaku në atë kohë, i cili është befasuar nga lojtari prishtinas.
‘’Po sa i përket Amir Rrahmanit qysh në ditët e para që kam stërvit me të e kam vërejtur talentin e tij. Ka nji karakter dhe nji besim shumë të madh tek vetvetja e tij saqë më ka befasu edhe mua si trajner sepse jam i bindur që as lojtarët me përvojë shumë të madhe nuk kanë pasë ato karakteristika të tij’’.
‘’Ka qenë shumë punëtorë dhe në maksimum i disiplinuar saqë në çdo stërvitje ai ka punu edhe diçka ma shumë apo u mundu me dhanë ma shumë se maksimumi – që do të thotë dëshirën dhe motivin për punë e ka pasë shumë të madhe dhe mendoj që 6 mujori i fundit ka qenë ai kulminacioni i tij që është ngrit në nivel shumë të lartë te KF Drenica’’, kujton momentet me Rrahmanin ish-trajneri i Drenicës.
Lushtaku për lajmi.net kujton edhe një moment interesant me Amirin, të cilin nuk e lejoi të transferohej te skuadra Ballqi.
‘’Më kujtohet që ka pasë ofertë nga Ballqi, por unë kam qenë kategorik kundër që mos të shkojë në një ekip si ai sepse ka pasë potencial për ekipe ma të mëdha edhe u pa që veç arriti marrëveshje me Partizanin e Tiranës’’.
Më tej, tekniku kosovar zbulon se si erdhi deri te transferimi i Rrahmanit te Partizani në Shqipëri, me dije se ai do të mbërrinte edhe në nivele më të larta.
‘’Deri te kjo ka ardhë si rezultat i punës së tij, normal edhe nga unë po edhe i klubit të Drenicës sepse e kam përkrahë aq shumë si trajner sa kam punu me ta – ku ndoshta vendimtare ka qenë një ndeshje kontrolluese që kemi ba në Durrës sa ishim në përgatitje aty për 12 ditë dhe ditën e fundit kemi lujtë me U-21 të Shqipërisë dhe ku e fitum atë ndeshje me rezultat 2-0 teksa ai ka tregu përformancë të lartë. Aty u vendos e ardhmja e suksesshme e Amirit. Pas 6 muajve kaloi tek Partizani dhe sigurisht kam bisedu me asistentët e mi dhe kemi thanë që ka me pasë një karrierë shumë të mirë si futbollist, po ndoshta as ne nuk e kemi besu qe ai sot nga një futbollist nga Drenica të arrijë në Napoli’’.
‘’Besoj që ka m’u paraqit denjësisht edhe te Napoli dhe i deshiroj edhe ma shumë suksese në karrierë sepse ende mundet edhe ma lartë me shku’’, theksoi Tahir Lushtaku.
Rrahmani qëndroi dy vite te Drenica (2011-2013), ku zhvilloi 40 ndeshje dhe shënoi një gol. Në vitin 2013, ai kaloi te Partizani i Tiranës, ku në 59 paraqitje realizoi tre gola.
Paraqitjet fantastike të tij bën që shumë skuadra të njohura evropiane të interesoheshin për të dhe në vitin 2015, vendosi të hidhte një hap tjetër të rëndësishëm në karrierën e tij, duke kaluar te Hajduk Split në Kroaci.
Aventura te Split nuk shkoi më gjatë se një sezon, pasi gjiganti kroat Dinamo Zagreb e transferoi menjëherë në vitin 2016.

Po atë edicion, Dinamo vendosi ta huazojë Rrahmanin te ekipi ‘satelitë’ Lokomotiva e Zagrebit, ku qëndroi për një sezon.
Ekipi më i trofeshëm kroat më pas e mbajti edhe për dy sezone të tjera, ku 25-vjeçari bëri 40 paraqitje dhe shënoi katër gola.
Në vitin 2019, Rrahmani bëri një hap të madh duke kaluar te Hellas Verona në Serie A, ku është shtylla kryesore defanzive e trajnerit Ivan Juric. Fatkeqësisht për Hellas, Amiri do të kalojë te Napoli për 15 milionë euro, ku do të fitojë 1.8 milion euro në sezon.

Rrahmani mentalitetin e tij e ka përcjellur edhe te skuadra kombëtare e Kosovës, ku padyshim është një nga pikat më të forta të selektorit Challandes – i cili e ka ‘miratuar’ kalimin e tij te Napoli.
“Rrahmani është kapiteni i kombëtares sonë, si dhe mbrojtës i kompletuar dhe modern” “Përdorë të dy këmbët dhe është i shkathët me kokë. Ka një vetbesim të veçantë me topin dhe i pëlqen të avancoj me top në pronësi. I përshtatet shumë mirë nevojave të trajnerëve. Në Dinamo Zagreb luante si mbrojtës i majtë, por mund të luajë çdo kund në mbrojtje. Për shembull, në kombëtaren tonë luan në qendër me mbrojtje të rreshtuar me katër”, kishte thënë tekniku zviceran ditë më parë.
“Napoli ka bërë një blerje të shkëlqyer. Amiri ka një personalitet solid dhe është i qetë. Për pak kohë nën udhëheqjen time është shndërruar në lider të mbrojtjes dhe zhveshtores. Nuk krijon probleme brenda zhveshtores”.
“Zgjedhje e përkryer për ta afruar kjo e Napoli”, deklaroi Challandes.

Ai është paraqitur 29 herë me ‘Dardanët’ dhe ka shënuar pesë gola, teksa formën e shkëlqyeshme pritet të vazhdojë edhe në fazën e ‘play-off’ në Ligën e Kombeve në muajin mars.

Dikur luante në lloçin e Kosovës, sot luan në njërin ndër kampionatet më të forta dhe me kundërshtarë që ndoshta nuk ka besuar që do të mund të përballet një ditë. Amiri punoi dhe nuk u dorëzua kurrë, dhe shpërblimi sa vjen e rritet. /Lajmi.net/






















