Lajme
Meta përkujton Holokaustin, përmend edhe masakrat gjatë luftës në Kosovë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka përkujtuar miliona viktima të Holokaustit në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës.
Kreu i shtetit shqiptar shkruan në Facebook se përkujtohen me “nderim miliona viktima të pafajshme të mizorisë së pashpirt të Holokaustit, në mënyrë që antisemitizmi, mungesa e tolerancës, bashkëjetesës, dhe shkeljet e lirive e të drejtave të njeriut, të mos përsëriten KURRË MË”.
Ai ka kujtuar edhe lufën e Kosovës dhe masakrat të ndodhura gjatë kësaj lufte.
“Dy dekada më parë në zemër të Europës, fatkeqësisht ishim dëshmitarë të masakrave e spastrimit etnik dhe fetar në Bosnje e Hercegovinë, dhe Kosovë”.
“Gjenocide dhe akte të tilla çnjerëzore ndaj kujtdo që i përket një feje, etnie apo kombësie ndryshe, nuk duhet të ndodhin dhe nuk duhen lejuar të ndodhin KURRË MË në botën ku jetojmë!
Krenar për kombin tonë, që në periudhën më të errët të njerëzimit, mbrojti dhe mirëpriti mijëra hebrenj të larguar nga vendet e tjera, duke mos dorëzuar asnjë te pushtuesit”, shkruan Meta në Facebook, transmeton Klan Kosova.



















