Sport
Kurbeti ia këputi ëndrrën Blerand Kurtishajt

Fjala është për Blerand Kurtishajn, i cili në vitin që fitoi “Këpucën e Artë”, trofe ky që u jepet golashënuesve më të mirë, vendosi t’ia kthejë shpinën Kosovës pasi pëlqeu më shumë letrat e Gjermanisë.
Futbolli mund t’ia rrëmbejë shumë lehtë zemrën çdokujt, për shkak të adrenalinës që ofron, madje shumë lehtë të bënë edhe të varur nga ai. Futbolli në shumë raste ka ndarë edhe çifte, por për personazhin tonë futbolli në këtë rast ka mbetur në plan të dytë. Fjala është për ish-futbollistin e njohur të Kosovës Blerand Kurtishajn, i cili në vitin që fitoi “Këpucën e Artë”, trofe ky që u jepet golashënuesve më të mirë, dhe kur mendohej se ai tash do ta bëjë hapin gjigant në karrierë mori një vendim krejt tjetër. Futbollit ia ktheu shpinën dhe u martua në Gjermani atje ku mendoi se ka më shumë perspektivë sesa në futbollin e Kosovës.
Infrastruktura e dobët e mbi të gjitha financat aspak të mira po bëjnë që talentet tanë të çajnë gur e dru vetëm ta gjejnë një mënyrë për të ikur nga këtu.
Jo të gjithë mund ta kenë fatin e Milot Rashicës, i cili nga Kosova e Vushtrrisë kaloi fillimisht te Vitesse në kampionatin holandez e sot në Gjermani te Werder Bremeni. Sot mjafton një nuse me letra dhe t’i thonë tung-tung futbollit të Kosovës. “Është e vërtetë se martesa më ka ndarë nga futbolli i Kosovës, por kjo nuk ka qenë arsyeja e vetme që e kam lënë Kosovën. Kam ardhur në Gjermani me synime për të luajtur dhe për të arritur shumë më shumë. Kam ëndërr që të luaj në ndonjë klub të madh këtu në Gjermani, por sigurisht edhe dashuria që kam për bashkëshorten”, ka thënë në një rrëfim ekskluziv për “Zërin” Blerand Kurtishaj, i cili tashmë i ka fuqizuar rrënjët në Gjermani pasi është bërë edhe baba.
Ndarja me shokët
Për futbollistin therandas meraku më i madh i mbetet fakti se nga futbolli i Kosovës i ishte dashur të ndahet në momentet më të mira të karrierës dhe se është i bindur që sikur të vazhdonte do të mundë të arrinte edhe më shumë. Ai e kujton ndarjen si një moment shumë të vështirë, por ja që u desh të mendojë më shumë për të ardhmen dhe duket se e ardhmja më e mirë ishte largimi nga Kosova. “Ka qenë shumë e rëndë për mua që ta lë futbollin në Kosovë për të ardhur këtu në Gjermani. Jam rritur me futbollin kosovar dhe kam përjetuar gjithçka, mirëpo jeta i paska këto gjëra. Unë futbollin nuk e harroj kurrë”, ka thënë Kurtishaj, i cili e pranon se njëra ndër arsyet kryesore e largimit ka qenë martesa. “Nuk është se jam larguar nga futbolli i Kosovës vetëm për shkak të martesës, edhe pse njëra nga arsyet kryesore ka qenë kjo. Kam ardhur në Gjermani me synime edhe të luaj këtu”, ka thënë ish-futbollisti i Trepçës ’89, i cili konfirmon se në mendje gjithmonë e ka futbollin tonë.
Skuadra e fëmijërisë sot është kampione
Ballkani i Therandës është kampion vjeshtor në futbollin kosovar. Kjo skuadër njihet si skuadra e fëmijërisë për Kurtishajn dhe sigurisht se kur kujton ato momente përmallohet. Megjithatë, ai ndihet krenar që skuadra e vendlindjes së tij sot është në kulmin e futbollit të Kosovës. “Jam bërë baba tash dhe është një ndjejnë e mirë në jetë, por assesi nuk e harroj Kosovën. Këtë vit Ballkani është kampion vjeshtor, skuadra ime e fëmijërisë”, ka thënë Kurtishaj, duke folur fjalë të mira për këtë skuadër.
“Më gëzojnë shumë sukseset e Ballkanit. Kur kam kohë e përcjell me mall dhe dua shumë që Ballkani të shpallet kampion. Do të doja të jem pjesë festës së titullit, por momentalisht nuk e mendoj kthimin në Kosovë së paku jo në një të ardhme të afërt”, ka thënë Kurtishaj.
“Asnjëherë nuk i kam shkëputur kontaktet me bashkëlojtarët e mi, por sigurisht me disa mbaj kontakte më të veçuara. Vazhdimisht komunikoj me ta dhe flasim për gjithçka që po ndodh atje në futbollin e Kosovës”, ka thënë Kurtishaj, të cilit dhimbje më të madhe i shkakton fakti që u desh të largohej nga Kosova në momentin kur ka mundur të fitojë shumë më shumë. “Ëndrra ime e paplotësuar në futbollin e Kosovës është fakti se jam larguar në kohën kur besoj se kam mundur të fitoj shumë më shumë”, ka përfunduar Blerand Kurtishaj./Zëri.info






















