Connect with us

Kosovë

Konjufca si kryeparlamentar kërkon nga serbët që të lirohet Nezir Mehmetaj

Publikuar

Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka reaguar pas vendimit të një gjykate në Serbi për dënimin me 30 ditë të Nezir Mehmetajt, i cili po kthehej nga Serbia ku kishte qenë në spital për nevojat shëndetësore të nënës së tij.

“Me shqetësim morëm lajmin për arrestimin e qytetarit të Kosovës, Nezir Mehmetaj, i cili po kthehej nga Serbia ku kishte qenë në spital për nevojat shëndetësore të nënës së tij. Dje pati disa reagime nga institucione e subjekte politike të Kosovës, dhe nga shumë qytetarë, që kërkuan lirimin e z. Mehmetaj. Por në vend të lirimit, sot morëm vesh se gjykatat e Serbisë kanë vendosur ta mbajnë edhe 30 ditë”, shkruan Konjufca në Facebook.

Ai ka thënë se sjellje të tilla që targetojnë një etni e një vend fqinj nuk premtojnë aspak mirë për të ardhmen, teksa bën thirrje që Mehmetaj të lirohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Kjo është padrejtësi. Serbia po arreston në mënyrë arbitrare, cilin t’i teket, nga qytetarët e Kosovës të cilët kalojnë nëpër atë vend nga halli, jo nga qejfi. Me këto gjeste Serbia po na tregon se nuk ka ndryshuar ende mentalitetin politik sa i përket Kosovës e shqiptarëve, të cilët i trajton dhunshëm e me arbitraritet, sikur të jenë njerëz të dorës së dytë. I bëjmë thirrje Serbisë ta lejojë z. Nezir Mehmetaj të kthehet pranë vatrës e familjes së tij, dhe ta ndryshojë qasjen që ka ndaj Kosovës e qytetarëve të saj. Jemi në shekullin 21 e këto sjellje duhet t’i ndalni megjithatë, edhe pse s’kanë kaluar ende as dy dekada prej masakrave gjenocidale që bëtë kundër nesh”, përfundon Konjufca.

NA NDIQ NË FACEBOOK