Lajme
Koalicionet parazgjedhore, “Alternativa” dhe “Besa” ende diskutojnë

Aleanca për Shqiptarët mbetet në qëndrimin se do të dëshironte një koalicion parazgjedhor me “Alternativën” dhe Lëvizjen “Besa”, por zëdhënësi i ASh-së për TVM2 pohoi shkurt se nuk ka asgjë të re dhe do të prononcohen vetëm kur të ketë zhvillime të reja. Dëshira e ASh-së i gjen pa një qëndrim të qartë dy partitë e tjera, njofton TVM2.
Nga Lëvizja Besa, edhe pse fillimisht ishin kundër një koalicionimi të tillë, në momentet e fundit kanë filluar të mendojnë seriozisht për të njëjtin. “Alternativa” duket se ka probleme me përfshirjen e “Besës” në një koalicion eventual me ASh-në. Nga partia e Gashit pohojnë megjithatë se me Aleancën po bisedohet, por detajet mbeten të bëhen publike kur marrëveshja eventuale të arrihet.
“Ende nuk kanë përfunduar bisedimet, kështu konsiderojmë që, deri sa këto bisedime nuk përfundojnë, nuk mund të japim edhe informata shtesë rreth këtyre bisedimeve, por mendoj se duhet të përfundojnë shumë shpejt. Janë bërë të gjitha përgatitjet e mundshme rreth zgjedhjeve, ne jemi gati dhe me një koalicionim të mundshëm në këtë rast me atë që veç më jemi duke biseduar, ASh-në, do t’i kishim përshpejtuar disa procese, por ne jemi gati që nesër të ketë zgjedhje. Jemi afër një marrëveshjeje shumë të mirë, por për hir të korrektësisë detajet do të duhet t’i lëmë të bëhen transparente në kohën kur të vijë koha për to.”,- tha Skender Rexhepi për TVM2 nga “Alternativa”.
Nga Lëvizja “Besa” janë për një koalicion trepalësh, e kjo është konstatuar edhe në mbledhjen e fundit të kryesisë qendrore.
“Lëvizja “Besa” është e hapur për bashkëpunime të mundshme parazgjedhore trepalëshe, konform thirrjes së “Aleancës për Shqiptarët”. Kryesia qendrore ngarkoi sekretarin gjeneral të Lëvizjes. “Besa”, Arianit Hoxha, që në mbledhjen e radhës së kuvendit qendror, të propozojë strategjinë e shtabit zgjedhor, si dhe përbërjen e tij, si dhe sekretari organizativ, Adnan Azizi, u ngarkua që të përpilojë agjendën e vizitave në çdo vendbanim shqiptar, përfshirë edhe diasporën, ku do bëhet prezantimi i platformës “Besa”.”,- thuhet nga Lëvizja Besa.
PDSh tashmë e ka bërë të qartë se do të garojë e vetme në zgjedhje dhe bashkëpunimin me partitë e tjera shqiptare, nuk e shikon si opsion të mundshëm. Edhe BDI do të garojë e vetme në zgjedhjet e parakohshme./Zyrtare.net/
















