Connect with us

Kosovë

JAVA: Ramushi largohet nga politika, kosovarët ikin të trembur pas sulmeve të Iranit

Publikuar

Sot merr fund edhe java e dytë e vitit 2020 e megjithatë nuk ka qeveri, nuk ka ndryshim, nuk ka borë dhe nuk ka lajme domethënëse politike. Duket sikur nuk kemi lëvizur aspak që prej vitit 2010, ose edhe vitit 2005.

E diele, 12 janar, Prishtinë Përpjekjet për të formuar qeverinë e re të Republikës së Kosovës nuk po ndalen. Por, e keqja është se as dështimet nuk po ndalen. Dhe pas çdo dështimi nga çdo takim sipas LDK-së fajtore është VV-ja ndërsa sipas VV-së fajtore është LDK-ja. Por, e vërteta është se askujt nuk i duhet fajtori e gjithkujt i duhet qeveria.

Kaluan tre muaj e 6 ditë që prej përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 6 tetorit. Kjo periudhë kohe përbën gati 10 përqindëshin e mandatit të plotë të një qeverie. Dhe diku 20 përqindëshin e mandatit mesatar të qeverive të Kosovës deri tash. Pra, u humb kohë në mënyrë të pafrenueshme. Kohë, e cila menduar me premtimet e bëra nga të dyja partitë, përkthehet në ndalje abuzimesh qeveritare dhe përkthehet në para të majme të humbura për çdo ditë.

Z.Kurti e z.Mustafa u takuan sërish. Dhe dështuan sërish. Kësaj here u raportua se dështimi kishte të bënte me pozitën e kryetarit të Kuvendit, e të cilën LDK-ja e do për vete. Ndërkaq, Albin Kurti i Vetëvendosjes kishte deklaruar më herët se kjo pozitë në fakt i takonte Vetëvendosjes prej 26 dhjetorit.

Siç mund ta shohim, ajo që e pengon marrëveshjen mes dy partive më të mëdha në Kosovë është diçka trishtueshëm banale: inatet e dy liderëve politikë me njëri-tjetrin.

Veprime të tilla edhe mund të priteshin prej z.Mustafa dhe LDK-së, por definitivisht nuk priteshin nga z.Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Presidenti i vendit, z.Thaçi i dërgoi një letër tjetër Kurtit duke u munduar që ta shtynte t’i dërgonte emrin e mandatarit. Nuk ka përgjigje.

Në rrafshin global, lajmet ishin shumë më dramatike. Pas vrasjes së gjeneralit kryesor iranian në javën e kaluar, Gjeneral Kasim Soleimanit, Irani u kundërpërgjigj me disa raketa balistike në dy baza ajrore në Irak duke u munduar t’i gjuante forcat amerikane. Deri tash, del se këto raketa balistike nuk arritën ta qëllonin asnjë ushtar, dhe me kaq ‘hakmarrja’ e tyre përfundoi.

Megjithatë, sulmet me raketa të Iranit shkaktuan goxha frikë te punëtorët kosovarë në njërën prej bazave, me njërin prej tyre që i tha Periskopit se shumë prej shqiptarëve kishin dhënë dorëheqje dhe donin menjëherë të ktheheshin në Kosovë.

Po gjatë kësaj jave u kërcënua prokurorja Drita Hajdari – e cila kishte ngritur aktakuzën në rastin Pronto ku para disa ditësh dolën të pafajshëm të akuzuarit nga Gjykata. Nuk dihet se kush e kreu kërcënimin në fjalë, por prokuroria dhe jo gjykata ishte sulmuar vazhdimisht nga Grupi Koha se nuk kishte kryer punën e saj profesionalisht për rastin duke mos ofruar prova të nevojshme.

Ndërkohë që Ramush Haradinaj raportohet se ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të AAK-së duke lënë shenja se mund të largohet krejtësisht nga politika por kjo është ende e pakonfirmuar. Haradinaj më herët kishte dhënë dorëheqja edhe si deputet i Kuvendit të Kosovës. /Periskopi

 

 

NA NDIQ NË FACEBOOK