Lajme
Emërimet në MPB, KSHZ: Nuk kemi kompetenca!

KShZ-së është jokompetente për të vendosur për kërkesën e ministrit teknik të punëve të brendshme, Naqe Çulev, në lidhje me emërimin e Risto Stavrevskit për kryeshef të SPB-Shkup, shkruan TVM2.
Nga KShZ të gjithë anëtarët njëzëri konstatuan se në këtë rast nuk bëhet fjalë për ndonjë akt që ka të bëjë me çështje financiare apo kuadrovike e që ndërlidhen me organizimin e zgjedhjeve.
“KShZ konfirmoi se vendimi për emërim në pozicionin udhëheqës nuk paraqet dokument apo akt që ka të bëjë me çështje financiare dhe kuadrovike për organizimin e zgjedhjeve, të rregulluar me Ligjin për Qeverinë, nenin 46, paragrafi 3, të Ligjit për Qeverinë.”,- deklaroi kryetari i KShZ-së, Oliver Derkoski.
Mosmarrëveshjet në MPB i komentoi edhe kryeministri teknik, Oliver Spasovski, i cili apeloi që mosmarrëveshjet të zgjidhen me dialog.
“Qytetarët duhet të jenë të sigurtë dhe të mos ketë hamendësi se si funksionojnë institucionet. Atje ku ka probleme apeli im si kryeministër, por edhe gjatë kontakteve me ministrat dhe zëvendësministrat, është që çështjet t’i zgjidhin me dialog.”,- tha kryeministri teknik, Oliver Spasovski.
Çështja e emërimit të Stavrevskit në krye të SPB-së iu delegua KShZ-së nga vetë ministri Çulev, pasi zëvendësministrja plotësuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sllavjanka Petrovska, nuk e nënshkroi vendimin për emërimin e Risto Stavrevski, pasi ai dëgjohet në audio-incizime se si keqpërdor detyrën zyrtare./Zyrtare/



















