Connect with us

Lajme

E teprojnë banorët e Bllacës, kërkojnë 100 euro për metër katror

Publikuar

Banorët e Bllacës kuvendojnë në pritje të përfaqësuesve të shtetit për t’ju komunikuar ofertën e shtetit për tokat e tyre. Janë 68 pronarë, në parcelat e të cilëve do të kaloj autostrada e re Shkup-Bllacë. Pas takimit, bllacalinjtë shprehen revoltën se nuk iu pëlqyen kushtet e shpronësimit dhe thonë se do të ankohen, shkruan Alsat.

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani, duke iu referuar Ligjit të ri për vlerësim tha se banorët nuk kanë të drejtë me shpronësimet të pengojnë nisjen e punimeve. Derë e vetme u mbetet ankesa në gjykatë. Osmani u tha banorëve se nuk duhet të shikohen vetëm përfitimet personale, por rëndësinë kombëtare dhe ekonomike që lidh Shkupin me Prishtinën.

Ndonëse erdhën për t’iu thënë çmimin të gjithëve, haptazi nuk e bënë. Jo zyrtarisht, vlerësimi do të jetë nga 10 deri në 50 euro për metër katror. Drejtori i Byrosë për ekspertizë ligjore paralajmëroi se oferta banorëve do t’u dërgohet përmes postës.

“Ka parcela që janë kryesisht me tokë pjellore, ka të tjera që janë tokë e thatë e pa punuar aspak dhe ka parcela që janë rreth rrugës. Sipas këtyre karakteristikave do të bëhet vlerësimi që do të jep çmimin dhe do tu bëhet shpagimi i banorëve të kësaj zone”- tha Valdet Xhaferi, Drejtor i Byrosë për Ekspertizë Ligjore.

Takimi me banorët erdhi një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e dy kilometrave të para të autostradës, të cilat do të nisin nga pika kufitare deri tek mbikalimi i fshatit Bllacë e Epërme. Ky segment do të ndërtohet mbi rrugën aktuale, punimet pritet të nisin në pranverë dhe të zgjasin 18 muaj. Sipas projektit, kosto e 2 kilometrave është 12,2 milion euro pa llogaritur vlerën e 68 pronave që duhet të eksproperiohen. Ndërkaq, segmenti i dytë prej 10,5 km është në fazën projektuese dhe do të kushtoj mbi 105 milion euro. Për të tenderi pritet të shpallet pas një viti dhe punimet të zgjasin 36 muaj të tjerë. E gjithë autostrada Shkup-Bllacë do të jetë e gjatë 12.5 km, në të cilin do të ketë 8 viadukte dhe 4 tunele, e cila nuk do të jetë gati para viti 2023.

NA NDIQ NË FACEBOOK