Ndryshe
Drama e Hakan Sukur: Dikur yll, sot mbijeton duke punuar si taksist

Dikur ishte një ndër lojtarët më të mirë për të gjithë turqit dhe arriti të veshë fanellën e disa klubeve të mëdha Europiane, mes të cilave edhe atë zikaltër të Interit, ndërsa sot i duhet të punojë shumë për të siguruar mbijetesën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bëhet fjalë për ish sulmuesin e kombëtares turke Hakan Shukur, i cili aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara dhe akuzohet nga Turqia si tradhtar dhe puçist në grushtin e shtetit të 2016-ës, ndaj nuk kthehet dot në vendlindjen e tij.
“Nuk më ka mbetur më asgjë, pasi kanë marrë gjithçka që më përkiste mua, përfshi këtu edhe të drejtën për t’u shprehur, për të qenë i lirë dhe për të punuar. Tani më duhet të shes libra dhe të punoj si taksist me një Uber, për të siguruar jetesën”, deklaroi ish sulmuesi turk.
Pasi e mbylli me futbollin e luajtur, Hakan Sukur vendosi të angazhohet në politikë, pikërisht me partinë e Rexhep Taip Erdogan, por më pas marrëdhëniet mes tyre u prishën dhe presidenti turk akuzon ish sulmuesin se bashkëpunon me grupin e Fetullah Gulenit.
“Më ftuan në parti për të përfituar nga popullariteti im, por më pas filluan problemet. Fillimisht gjuajtën me gurë në butikun e bashkëshortes time, më vonë më kërcënuan fëmijët dhe më pas më vunë mina në derën e zyrës, ndaj u detyrova të largohem. Menjëherë pas largimit tim, arrestuan babanë tim dhe më pas më konfiskuan çdo pronë e pasuri që kisha në Turqi”, tregon ndër të tjera Sukur.





















