Kosovë
Dështon ideja e Kurtit për përfshirjen e shteteve të Kuintit, pëson goditje të rëndë diplomatike

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pësuar një goditje të rëndë në përpjekjet e tij për ta imponuar lojën e vet politike në negociatat me LDK-në.
Ai sot është injoruar tërësisht nga ambasadorët e shteteve të Kuintit, të cilët i kishte ftuar që të marrin pjesë në takimin e sotëm të tij me Mustafën.
Kurti gjatë gjithë këtyre viteve e kishte sulmuar praktikën e ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në zgjidhjen e proceseve të brendshme, duke thënë që ndërkombëtarët na shtypin kur ne ngecim. Por, dje kur ai kishte ngecur tërësisht në negociatat me LDK-në, çuditërisht kishte menduar se me involvimin e ambasadorëve të Kuintit mund të ecë përpara ideja e tij.
Sigurisht se tani edhe për vetë Kurtin do të duhej të ishte shqetësues ky izolim ndërkombëtar, që si duket me qasjen politike ka bërë që një qeveri e krijuar nga ai të mos gëzojë përkrahje ndërkombëtare.
Nga Kuvendi i Kosovës raportohet se deri më tani asnjë ambasador i shteteve të Kuintit nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kurtit për pjesëmarrje në këtë takim, i cili kishte tendenca të mëdha t’i jepej karakter tjetër.
Por, paralelisht me takimin e Kurtit e Mustafës, duke përjashtuar ambasadorin amerikan, ambasadorët e tjerë të Kuintit dhe zv/ambasadori francez janë mbledhur në zyrën e shefes së BE-së, Natalyia Apostolova, ku nuk dihet se për çfarë po diskutojnë dhe çfarë vendimi do të marrin.





















