Kosovë
Deri tani asnjë rast i regjistruar me koronavirus në Kosovë – situata po monitorohet edhe nga aeroporti

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka bërë të ditur se janë të informuar lidhur me koronavirusin, virus i ri i përhapur së fundi në Kinë.
Virusi është i rrezikshëm në rast të shfaqjes së komplikimeve të sëmundjes, sidomos për personat me imunodeficiencë dhe sëmundje kronike.
Por IKSHPK ka sqaruar se mundësia e përhapjes së këtij virusi ekziston në çdo vend, në rast të kontaktit me burimin e infeksionit siç janë personat që vijnë nga vendet e prekura me këtë virus.
”IKSHPK është duke monitoruar nga afër epideminë e sëmundjes respiratore të shkaktuar nga një koronavirus i ri i identifikuar për herë të parë në Wuhan, Provinca Hubei, Kinë. IKShPK/ Departamenti i Epidemiologjisë bënë mbikëqyrjen e rasteve gjatë tërë vitit, dhe përcjell situatën epidemiologjike”.
”Instituti Kombëtar ka rekomanduar te të gjithë Drejtorët Rajonal të Shëndetësisë Publike dhe punëtorët shëndetësorë që të ngrisin nivelin e vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë”, thuhet mes tjerash në kumtesën e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë.
Çdo rast i dyshimtë i sëmundjes duhet të raportohet nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe institucionet tjera shëndetësore publike dhe private, brenda 24 orëve (e dëshirueshme sa më parë që është e mundshme me mjetin e komunikimit më të shpejtë) në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe IKShPK.
Të gjitha institucionet shëndetësore të vazhdojnë të zbatojnë gatishmërinë e tyre për emergjencat shëndetësore, në përputhje me Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit (2005).
Instituti Kombëtar do të informojë rregullisht Institucionet shëndetësore, Ministrinë e Shëndetësisë, Qendrën e Situatave dhe OBSh-në për ecurinë epidemiologjike të Novel Coronavirus (2019-nCoV) në Republikën e Kosovës.
Gjithashtu IKSHPK bënë të ditur se në Aeroportin Ndërkombëtar ”Adem Jashari” është ekipi mjekësor, me të cilët gjenden në kontakt të vazhdueshëm për mbikëqyrjen e situatës në rast të shfaqjes së personave të dyshimtë me sëmundje ngjitëse.
”Ekuipazhi i aeroplanit duhet të ndjekë procedurat operacionale të rekomanduara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) në lidhje me menaxhimin e personave të dyshimtë në sëmundje ngjitëse në bordin e aeroplanit.
Deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i prekur nga ky virus në vendin tonë”, theksohet mes tjerash, njofton Klan Kosova.
Më 7 janar, autoritetet kineze konfirmuan se ata kishin identifikuar një virus të ri. Virusi i ri është një koronavirus, i cili është një familje e viruseve që shkakton rrufë të zakonshme (ftofje) si dhe virusin e SARS dhe MERS.
Ky virus i ri u emërua përkohësisht “2019-nCoV”.
Aktualisht, rastet e infektuara në Kinë janë eksportuar në SHBA, Tajlandë, Japoni dhe Republikën e Koresë.






















