Connect with us

Sport

Boks 2019: Rënia e rikthimi i Joshua, pikëpyetjet mbi Wilder, respekti për Fury dhe rritja e Dubois

Publikuar

Emra si ai i Anthony Joshua, Tyson Fury, Deontay Wilder e Daniel Dubois ishin ata që tërhoqën vëmendjen më të madhe gjatë këtij viti kalendarik, brenda ringut të boksit, me aftësitë dhe luftërat e tyre të jashtëzakonshme. Disa nga ta hodhën pikëpyetje mbi vetën, disa fituan respektin, disa u rrëzuan e u ngritën, kurse disa po ‘kërcënojnë’ të tjerët me rritjen e tyre.

Nëse boksi i vitit 2019 do të mbahet mend, ai sigurisht se do të mbahet mend me dy ngjarje kryesore; Befasinë e Andy Ruiz JR kundër Anthony Joshua, dhe duelin e madh mes Tyson Fury – Deontay Wilder ( si dhe vjedhjen që iu bë britanikut, nëse guxojmë të zhytemi në spekulime).

Ishte 1 qershori i vitit 2019, data kur boksieri meksikan, jo shumë i njohur për tifozët e boksit (së paku në Kosovë), do të zbriste në ring, për të kontestaur katër titujt e kampionit britanik, Anthony Joshua. Para këtij dueli kishte vetëm një dilemë. Sa raunde do t’i bëjë ballë Ruiz gjigantit britanik. Por, kjo datë do të shkonte për t’u shënuar si befasia më e madhe në historikun e boksit.

Britaniku Joshua nuk ishte ai që ishim mësuar ta shohim gjithmonë – dukej i humbur në ring. AJ arriti të shtrinte në tapet meksikanin Ruiz, por këtu ndodhi kthesa e madhe. Ruiz do të kthehej për të nokautuar Joshuan, dy herë, po në të njëjtin raund, pra raundin e tretë. Dhe, jo befas, ky raund doli të zgjedhej si më spektakolari i vitit 2019 në boks.

Sigurisht, spektakli i këtij meçi nuk do të mbaronte këtu. Befasia dhe dëshpërimi më i madh në boks ishin rezervuar për raundin e shtatë, të meçit të 1 majit. Ruiz nokauton për dy herë të tjera AJ, për të marrë fitoren me TKO. Tani, bota e boksit njihte një kampion të ri, që thënë të drejtën, asnjëherë nuk morri respektin e merituar. Mediet njihnin kampionë të tjerë, kurse Ruiz përmendej vetëm për revanshin potencial me AJ, që ishte i pashmangshëm.

Duhej pritur plot gjashtë muaj për revanshin mes AJ dhe Ruiz Jr. Kampioni britanik po punonte palodhshëm për një transformim total. Trupi i tij tashmë kishte rënë në masë, duke përfituar shpejtësi, e cila më vonë do t’i rikthente titujt tek britaniku. Në anën tjetër, Andy Ruiz po shijonte jetën prej kampioni, duke mos lodhur kokën për revanshin, një gjë që do ta penalizonte më vonë, dhe do ta bënte pishman.

7 dhjetori ishte data e caktuar për revanshin e madh. Joshua synonte rikthimin e titujve, kurse Ruiz futej me qëllimin për të shokuar botën e boksit për herë të dytë radhazi. Por, profesionalizmi i AJ shkonte shumë më larg sesa ai i meksikanit.
Në meçin e zhvilluar në Arabinë Saudite, Joshua dukej superiorë ndaj Ruiz. Me një stil të Muhammad Ali, duke vallëzuar në ring, britaniku nuk i dha asnjë shans meksikanit Ruiz, i cili e kishte të pamundur t’i bënte ballë shpejtësisë dhe përgatitjes fizike të AJ. Në fund të meçit, Joshua fitonte me vendim unanim të gjyqtarëve, duke rikthyer titujt e tij. Kurse, Ruiz ishte i penduar se nuk kishte punuar sa duhet për këtë revansh – gjë që tregonte joprofesionalizëm të madh.

WBA, WBO, IBF, IBO tashmë i takonin Joshua. Titulli i WBC ishte tek Deontay Wilder, i cili mbronte atë titull 10 herë radhazi. Meçi për unifikimin e titujve vazhdon të kërkohet nga tifozët edhe sot.

Por, të qëndrojmë në temë. Kthehemi tek titulli i WBC, saktësisht tek Deontay Wilder e Tyson Fury.

Deontay Wilder, amerikani kampion i WBC, me rekordin pa humbje, me vetëm një barazim, tashmë do të sfidohej nga Domenic Breazeale, i cili jo vërtetë ishte sfidues. ‘Bomberi i bronztë’ do të merrte një fitore me nokaut, qysh në raundin e parë, për të mbrojtur me sukses rripin e WBC.

Në anën tjetër, një tjetër gjigant i boksit po kryente detyrën në anën e tij. Pas rikthimit të madh që bëri një vit më herët, duke u ndarë baras me Wilder, në një rezultat që për shumë njerëz ishe i padrejtë, Fury po punonte për të fituar revanshin e tij.
Më 15 qershor, Tyson Fury përballej me Tom Schwarz, të cilin pa asnjë problem e tejkaloi, pas vetëm dy raundeve, me nokaut teknik (TKO). Pas fitores, menjëherë u dërgua ftesë për revanshin me Wilder.

Por, revanshi nuk ishte akoma afër. Të dy boksierët, si Fury, ashtu edhe Wilder, do të organizonin edhe nga një meç, për të marrë nga një fitore.

Më 14 shtator, në një meç të zhvilluar në ‘T-Mobile Arena’, në Las Vegas, ‘Gypsy King’ do të merrte fitoren e radhës, kundër Otto Wallin. Kjo fitore erdhi me vendim unanim, dhe me shumë mund, pasi britaniku ishte i gjakosur, dhe duhej dërguar në spital. Gjithsesi, fitorja kishte vlerë të madhe, pasi afronte Fury me revanshin kundër Wilder.

Deontay Wilder gjithashtu zhvilloi një tjetër meç. Më 23 nëntor, amerikani zbriste në ‘MGM Grand’, në Las Vegas, për të mbrojtur përsëri titullin e kampionit të WBC, kësaj radhe kundër Luis Ortiz, që shihej si një revansh. Ishte pikërisht kjo ndeshje që rriti maksimalisht dyshimet mbi kampionin e WBC. Një duel i fituar nga Wilder në raundin e gjashtë, me nokaut, në pamje të parë nuk lë hapësira për dyshime. Por, rezultatet e zbuluara nga gjyqtarët pas ndeshjes, për gjashtë raundet e luajtura, tregonin fitues Ortiz. Pra, Wilder nuk boksoi, thjeshtë u tregua me fat dhe nxorri një goditje të pastër, për të mbrojtur titullin e kampionit të WBC.

Deri në këtë pikë, Anthony Joshua tashmë kishtë pësuar rënien më të madhe në karrierë, por me një karakter kampioni, udhëtoi drejt Arabisë Saudite, ku ‘ktheu në shkollë’ Ruiz dhe rimorri titujt e kampionit. Tyson Fury, pas duelit me Wilder, rifitoi zemrat e tifozëve të boksit, dhe me dy ndeshje dominuese, rriti në maksimum respektin ndaj tij, duke bërë që të gjithë të presin për revanshin ndaj kampionit të WBC, për të marrë atë titull. Kurse, Wilder, pas fitores diskutabile ndaj Fury, dhe humbjes së raundeve ndaj Ortiz, por fitores me fat, është vënë në pikëpyetje edhe nga emra legjendar të boksit, si Mike Tyson.

Por, sigurisht se viti 2019 në boks nuk mund të mbyllet vetëm me AJ, Fury e Wilder. Aty është edhe një emër. Një emër që po ‘kërcënon’ treshen e madhe. Daniel ‘Dynamite’ Dubois – DDD. Britaniku i ri, me rekord perfekt, që synon të marrë epitetin e më të mirit, e që për këtë është në rrugë të drejtë.

Dubois do të zhvillonte meçin e parë të vitit 2019 më 8 mars, kundër kundërshtarit të quajtur Razvan Cojanu. Cojanu nuk arriti t’i bënte ballë më shumë se dy raunde ‘egërsirës’ britanike.

Formën e mirë, Dubois do ta vazhdonte edhe në prill. Më 27 prill, britaniku i ri do të ndeshej me Richard Lartey, të cilit do t’i jipte fundin pas vetëm katër raundeve. Një fitore me nokaut i hapte rrugë ‘dinamitit’ për një luftë më të madhe – atë për titullin e kampionit të Britanisë, kundër Gorman.

13 korriku do të vinte përballë ‘bishën në rritje’ nga Britania, Daniel Dubois, kundër Nathan Gorman, që mbante titullin e kampionit britanik, për peshat e rënda. ‘Dinamiti’ ishte i pamëshirshëm në këtë meç. Ai fitoi duelin pas vetëm pesë raundeve, për të bërë të vetin një titull shumë të rëndësishëm, atë të kampionit të Britanisë, dhe sigurisht, duke rritur synimin e tij – tashmë duke parë drejt titujve që mbahen nga Joshua e Wilder.

Sigurisht, para se të kalojë në një nivel kundërshtarësh kaq të lartë, Dubois ka nevojë për përvojën. Kështu, ai pati një tjetër meç në fundvit, më 21 dhjetor, kundër Kyoataro Fujimoto. Dubois arriti të mbyllte ndeshjen pas vetëm dy raundeve, me një nokaut brutal. Mesazhi i tij ishte i qartë. Sheh nga Joshua, Wilder e Fury.

Viti 2020 pritet të jetë vazhdimësi spektakli. 22 shkurti do të sjell revanshin mes Fury e Wilder. Joshua do të shoh për kundërshtarin e radhës, kurse Daniel Dubois do të vazhdojë të ‘piqet’, para duelet më të ‘fortit’ e divizionit. Sigurisht, ringut po i afrohen edhe emra si ai i Oleksandr Usyk. Dhe, pjesa më e bukur për fundin, ajo që mund të jetë befasia më e këndshme… në ring planifikon të kthehet Wladimir Klitschko. /Taulant Gashi/ Lajmi.net/

NA NDIQ NË FACEBOOK