Drejtuesi i Sekretariatit për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Erzen Vraniqi ka bërë një reagim në profilin e tij në Facebook e në të cilin është munduar të sqaronte opinionin në lidhjen me ftesën e çuditshme që i kanë ambasadorëve të Quintit në takimin e sotëm që fillon në orën 17:00.
Vraniqi thotë se në fund të takimit të mbrëmshëm ndërmjet VV-së dhe LDK-së, “kishte dakordim që sot ose nesër të ftohen në takim edhe ambasadorët e Quintit si dhe Shefja e Misionit të BE-së në Kosovë”, znj.Natalia Apostolova.
Ai nuk tregon se kujt i ra ndërmend kjo ide bizare. Ndoshta, iu ka rënë ndërmend të dyja palëve përnjëherë.
Mediat kanë raportuar se Vetëvendosje kishte ngulmuar në një gjë të tillë, për çka edhe po kritikohet edhe nga aktivistët ose ish aktivistët e saj të cilët po ia përmendin qëndrimet e mëparshme, shkruan Periskopi.
Më tej z.Vraniqi ka treguar edhe për rolin që do të kenë këta ambasadorë në takimin e sotëm, apo nesërm, duke e cilësuar atë si “ndihmues eventualë” dhe duke shmangur termin “ndërmjetësues” edhe pse nuk dihet ku qëndron dallimi mes të dyja termeve.
Më poshtë e keni statusin e plotë nga z.Vraniqi:
Si drejtues i Sekretariatit për Media dhe Komunikim dëshiroj të sqaroj opinionin se:
Në fund të takimit të mbrëmshëm ndërmjet LVV dhe LDK, kishte dakordim që sot ose nesër të ftohen në takim edhe ambasadorët e Quintit si dhe Shefja e Misonit të BE-së në Kosovë. Kjo është konfirmuar edhe në komunikimin me tekst që ka pasur kryetari i LVV Kurti me kryetarin e LDK Mustafa mbrëmë në ora 19:30. Kjo është bërë me qëllim të heqjes së çfarëdo dyshimi tek ambasadorët mbi pajtimin e dy palëve për pjesëmarrjen e ambasadorëve në takimin e sotëm. Ata nuk janë menduar asnjëherë si ndërmjetësues por vetëm si ndihmues eventualë për çfarë vetë e kanë shprehur gatishmërinë.






















