Lajme
Viti 2020, qytetarët presin për jetë më të mirë

Viti i ri po vjen, por hallet vazhdojnë të mbeten të vjetra, thonë qytetarët e anketuar nga TVM2. Derisa na ndajnë vetëm dy ditë nga ndërrimi i motmoteve, qytetarët shprehen se viti që po lëmë pas ka kaluar me shumë sfida, megjithëse vazhdojnë të shprehen edhe me një doze optimizmi se punët do të fillojnë të ecin nga e mbara.
Thonë që politika duhet të jetë mjet bashkimi dhe jo i ndasive, aq më tepër kur bëhet fjalë për ngritjen e standardit jetësor dhe zhvillimit ekonomik të vendit i cili gjatë vitit që po lëmë pas shpesh është ngulfatur nga proceset dhe zhvillimet politike.
Disa nga të anketuarit madje shprehën doze skepticizmi që gjërat mund të ndryshojnë shpejt. Sipas tyre shteti ka më shumë nevojë për zhvillim ekonomik, standard më të mirë jetësor, dhe stabilitetit politik.
-“Të kemi shëndet së pari, njerëzit të jenë më të kujdeshëm po të shpresojmë të ketë lëvizje pozitive në drejtim të zhvillimit ekonomik, të ketë paqe, siguri për popullatën”.
-“Shëndetin ta kemi ajo është më rëndësi më shumë, pastaj kuptohet për të rinjët të ketë mundësi që ato të mbesin këtu”.
-“Më mirë në Maqedoni ska, duhet të punohet, nevojiten ndryshime”
-“Vështirë, nuk kam shpresa shumë”.
-“Çdo ditë e më vështirë po bëhet nuk ka përmirësime të kualitetit të jetesës, të shohim se si do të rjedhin gjërat gjatë vitit që hyjmë”.
-“Duhet në venbanimet shqiptare të hapen më shumë fabrika, më shumë fusha sporti, na duhet edhe një spital” – thanë disa nga qytetarët e anketuar nga TVM2.
Në vigjilje të ndërimit të vitit vërehet një fluks më i madh i qytetarëve marrë parasyshë edhe numrin e madh të bashkëatdhetarëve të cilët kanë mbërritur nga shtetet e ndryshme të Europës. (TVM2)



















