Kosovë
Vetëvendosje nënkupton se nuk e kanë preferuar Rexhep Qosjen për president

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas lajmeve se arsyeja pse nuk po merren vesh për çështjen e presidentin me LDK’në është sepse këtë pozitë e kanë rezervuar për Rexhep Qosjen.
Drejtues i Sekretariatit për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Erzen Vraniqi ka shkruar në Facebook se një lajm i tillë është dezinformatë, e se as Albin Kurti e as VV-ja nuk kanë propozuar apo mbështetur ndonjë emër të caktuar për president.
Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se për këtë temë nuk ka pasur as diskutim në strukturat e partisë. Kjo sipas VV-së, pasi që fillimisht duhet të krijohet qeveria.
“Mjaft me dezinformata!
As Albin Kurti, dhe as Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk e ka propozuar, preferuar, mbështetur apo kundërshtuar asnjë emër të caktuar për president. Ne nuk e kemi bërë fare këtë diskutim në strukturat tona, sepse tash duhet të krijojmë qeverinë e jo të gjejmë presidentin. Qëndrimi ynë, ashtu si dhe qëndrimi i figurave të LDK gjatë fushatës zgjedhore, është se presidenti duhet të diskutohet kur t’i vijë koha”, ka shkruar ai.
Edhe vetë Rexhep Qosja në një deklaratë për Periskopin kishte thënë se nuk ka synime për një pozitë të tillë, sepse mandati i tij është i përjetshëm.



















