Kosovë
Vazhdon edhe sot takimi i “Mini-Shengenit në Tiranë

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë ditës së djeshme kanë zbarkuar do të në Tiranë për të marrë pjesë në takimin e tretë rajonal mes këtyre vendeve.
Tre liderët ballkanikë – kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev – kanë pasur një takim gjatë ditës së djeshme.
Ata edhe gjatë ditës së sotme do të kenë disa aktivitete.
Sipas agjendës së paraprarë, tre liderët ballkanikë pritet që të vizitojnë vendet e prekura nga tërmeti i 26 tetorit
Më pas, në orën 10.00, do të zhvillohet “Sesioni i liderëve”. Në orën 12.00 do të vijohet me Seancën Plenare me pjesëmarrjen e delegacioneve, derisa në orën 13:15 aktivitetet do të përmbyllen me konferencën e përbashkët për media.
Por, në këtë takim nuk është e pranishme Kosova.
Presidenti i vendit Hashim Thaçi e ka refuzuar ftesën e nikoqirit të këtij takimi, kryeministrit shqiptar Edi Ramës.
Ai në një postim në Facebook ka treguar disa nga arsyet pse Kosova nuk duhet të jetë e pranishme në këtë takim, njofton Klan Kosova.
“Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës”.
Ky takim vjen pas dy takimeve të mëparshme të këtij niveli të zhvilluara në Novi Sad të Serbisë dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut ku morën pjesë liderë dhe përfaqësues të lartë shtetërorë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve europiane.
Për shkak të rrethanave të njëjta, Kosova e kishte refuzuar pjesëmarrjen edhe në dy takimet paraprake.
Ndryshe, në këto takime ku ishin të pranishëm tre liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor – kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev – është paraqitur iniciativa e Mini-Shengenit Ballkanik.






















