Connect with us

Kosovë

Spahiu: Mund të ketë luftë civile në Kosovë mes atyre që e duan Kosovën dhe atyre që e duan Shqipërinë

Publikuar

Nexhmedin Spahiu, publicisti i njohur nga Mitrovica, ka bërë një status mjaft interesant në profilin e tij në Facebook në lidhje me mundësinë e ndezjes së një lufte civile në Kosovë.

Ai ka lënë të kuptohet se në rast të shpërthimit të një lufte civile, atëherë kjo do të ndodhej mes njerëzve që mbrojnë kombin e Kosovës dhe atyre që e shohin atë si “projekt të përkohshëm” duke kërkuar Bashkim Kombëtar.

Publicisti në fjalë i është referuar edhe historisë, duke përmendur në veçanti luftën e viteve 1943/44 gjatë Luftës së II Botërore, shkruan Periskopi.

Në atë periudhë, shumica e shqiptarëve ishin ndarë mes ballistëve që mbështesnin Gjermaninë dhe Italinë dhe partizanëve që ishin krah aleatëve.

Spahiu ka përmendur rolin e ShBA-ve duke e quajtur atë “babë” të Kosovës në parandalimin e një skenari të tillë të errët.

Ndryshe, z.Spahiu njihet si një ndër përkrahësit më të fortë të idesë së “kombit kosovar”.

Më poshtë e keni të paredaktuar statusin e plotë të tij:

A mund të shmanget lufta civile në Kosovë?

Kosova fatkeqësisht është e ndarë mes atyre që Kosovën e duan shtet të pavarur e sovran e subjekt ndërkombëtar dhe atyre që pavarësinë e shohin të përkohshme vetëm si trampolinë drejt bashkangjitjes së saj Shqipërisë. Në luftën çlirimtare (1998/99) ishim të gjithë bashkë, sepse të dy palët kishim interes ta heqim qafe Serbinë. Tani sa më shumë po e harrojmë Serbinë po ndezet konflikti i brendshëm. Shumë nga kombet në fillimet e veta janë përballur me luftën civile. Kombi Shqiptar është përballur me luftë civile 3 dekada pas lindjes së tij (1943/44). Tani Kosova është futur në dekadën e dytë pas pavarësisë de jure dhe dekadën e tretë de facto. Shenjat e rrezikut janë të qarta. Por ka një dallim mes Shqipërisë 1944 dhe Kosovës 2030. Krijuesi i Shqipërisë, AustroHungaria kishte vdekur dhe zëvendësuesja e saj Gjermania po humbiste luftën. Kosova ka babë Amerikën, dhe kjo është garancë që nuk do të ketë luftë civile në Kosovë. Nëse rroli amerikan në Ballkan në ndërkohë dobësohet, atëherë do të fuqizohen forcat që janë kundër pavarësisë së Kosovës, kurse patriotët e vërtetë të Kosovës do të detyrohen ta mbrojnë pavarësinë e Kosovës me luftë./Periskopi

NA NDIQ NË FACEBOOK