Connect with us

Lajme

SIRIA / Perspektivë e zymtë për 2020

Published

on

Ndonëse presidenti Assad ia ka dalë mbanë ushtarakisht, Siria ende nuk është paqësuar. Përkundrazi në të ardhmen vendi do të qeveriset edhe me më shumë autoritarizëm. Ndaj këtyre zhvillimeve Europa duhet të reagojë.

Gati një dekadë po vazhdon lufta në Siri. Një dekadë, në të cilën kanë gjetur vdekjen mbi gjysmë milioni sirianë dhe miliona kanë marrë arratinë, pjesërisht brenda vendit e një pjesë tjetër jashtë tij. Bilancin politik të gati dhjetë vjetëve presidenti i Sirisë Bashar al-Assad së fundi e shpjegoi në një intervistë për televizonin italian, RAI. Në këtë intervistë ai u shpreh me besim dhe i sigurt për fitoren. Siria pas luftës po shkon drejt një të ardhmeje premtuese, deklaroi ai: “Situata është shumë më e mirë, sepse ne nga kjo luftë kemi nxjerrë shumë mësime….Ne dalim më të fortë prej kësaj lufte.”

“Ne”: Me këtë ai duhet të ketë parasysh në radhë të parë qeverinë siriane, që falë aleatëve të saj – Rusia, Irani dhe Hisbollahu libanez – ia doli kundrejt kryengritësve dhe gjatë viteve të kaluara vazhdimisht ka rimarrë nën kontroll territore të pushtuara prej kryengritësve Ndërkohë Assad sërish është i sigurt në karriken e tij, ndaj ai vështirë se do të jetë i gatshëm të bëjë lëshime ndaj kryengritësve që kanë mbetur apo edhe ndaj OKB-së që inisiton për për paqësimin e vendit.

Perspektiva të zymta për popullsinë siriane

“Presidenti Assad dhe mbështetësit e tij e kanë fituar luftën me Rusinë dhe Iranin”, thotë André Bank, ekspert pranë Institutit të Hamburgut GIGA për Studimet mbi Lindjen e Mesme. Pavarësisht luftimeve të vazhdueshme përrreth Idlibit në veri-perëndim si dhe territoreve të ndara të kontrollit mes Rusisë, SHBA-së dhe Turqisë si dhe ushtrisë siriane e njësive kurde të mbrojtjes popullore në veri-lindje në vend po konturohet një “paqe e fitores”. Kësisoj Assadi mbetet në pushtet edhe më tej.”

Qeveria gjermane e sheh të zymtë të ardhmen e Sirisë. Sipas një raporti sekret të Ministrisë së Jashtme mbi gjendjen në Siri, që e ka në dorë gazeta “Tagesspiegel”, situata në Siri konsiderohet katastrofale. Në asnjë pjesë të Sirisë nuk ka mbrojtje nga përndjekja politike dhe torturat, citon “Tagesspiegel” nga ky raport. Furnizimi është i mangët, ekonomia ndodhet në kolaps. Gati dy të të tretat e sirianëve – 69 përqind e popullsisë – jetojnë në varfëri ekstreme me më pak se dy dollarë në ditë. Pesë milionë sirianë konsiderohen si “nevojtarë akut”.

Politikisht e ardhmja e pjesës më të madhe të popullsisë duket e zymtë, konfirmon André Bank. “për shumicën absolute të sirianëve kjo nënkupton t’i mbijetojnë diktaturës me dominancën e shërbimeve sekrete, arrestimeve e torturave arbitrare dhe që nuk kanë asnjë perspektivë afatmesme për jetën.” Fitorja e Assadit nuk synon rindërtimin dhe hapat e parë drejt pajtimit në vendin e traumatizuar. “Në vend të kësaj aty do të vendoset heshtja e varrit.”

“Renassaunce” e xhihadistëve

Lufta e nisur më 2019 përreth rajonit Idlib në veri-perëndim të vendit do të vazhdojë edhe më 2020. Ky territor është vendi i fundit i tërheqjes së grupeve xhihadiste si Hayi’at Tahrir ash-Scham (“Komiteti për Çlirimin e Sirisë”, HTS). Aviacioni sirian dhe rus mund të përpiqen ta shtrijnë kontrollin ndaj rajonit Idlib me bombardime masive, parashikon André Bank. Kjo do të hasë në rezistencën e fuqishme të HTS. Si rrjedhojë mund të ketë viktima të shumta si dhe përpjekje për arrati ndër rreth tre milionë njerëzve që jetojnë në këtë rajon, tërheq vëmendjen Bank.

Edhe në veri të Sirisë xhihadistët, veçanërisht “Shteti Islamik” (IS)mund të riformohet. Pasi “IS” dukej se u mund ushtarakisht përpara disa muajsh, ndërhyrja turke në tetor 2019 i ka krijuar mundësi të paparashikuara organizatës xhihadiste. Në luftë kundër ushtrisë turke, kurdët tërhoqën edhe atë pjesë të luftëtarëve, që më parë ruanin luftëtarët e IS që mbaheshin në burgjet kurde. Këtë kaos ata e shfrytëzojnë për t’u arratisur me familjet e tyre prej burgjeve të kontrolluara nga kurdët. Si rrjedhojë e gjendjes katastrofale ekonomike dhe politike në Siri këto forca mund të përfitojnë duke tërhequr rekrutë të rinj. “Në pjesë të Sirisë lindore dhe të Irakut perëndimor ka ende një bazë sociale për IS”, thotë André Bank.

Ofensiva ushtarake e Turqisë në Sirinë veriore kundër kurdëve

Interesat Europiane

Në përgjithësi më 2020 pozicioni i regjimit të Assadit mund të forcohet edhe më shumë. Ndonëse ai e ka humbur një pjesë të autonomisë dhe për çështjet parimore do t’i duhet të koordinohet me dy fuqitë e rëndësishme mbrojtëse Rusinë dhe Iranin. Nga ana tjetër nisur nga kostot e larta të ndërhyrjes ato janë të interesuara për t’i dhënë fund dhunës. Ndaj veçanërisht Rusia në muajt e ardhshëm do të përpiqet të gjejë mbështetjen e Europës për rindërtimin e Sirisë.

Europa duke iu referuar Sirisë ka interesat e saj, thotë André Bank. Kontinenti ndodhet para sfidës, që pavarësisht mundësive të pakta aktualisht për influencë diplomatike ndaj Sirisë t’i kundërvihet regjimit të Assadit. në vend që të financojë programe rindërtimi për Sirinë, që mund të forcojnë strukturat diktatoriale dhe të korruptuara, Gjermania do të duhej të përqendrohej në aleancë multilaterale në tri fusha, kshillon eksperti për Sirinë: dokumentimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut në Siri dhe përndjekja ndërkombëtare penale ndaj tyre, ruajtja e ndihmave humanitare për Sirinë nga vendet fqinjë dhe një angazhim ofensiv për një politikë të hapur integrimi ndaj refugjatëve.

Pikërisht nisur nga refugjatët Europa duhet të mos heqë dorë prej përpjekjeve të saj. “Sepse nuk mund të përjashtohet, që me vazhdimin e diktaturës në Siri nga ky vend të largohen edhe më shumë njerëz.”/ DW/

NA NDIQ NË FACEBOOK