Connect with us

Lajme

Shtatë pikëpyetje mbi mini-Shengenin

Publikuar

Këto ditë Akademia e Shkencave dhe Arteve në Kosovë pati një reagim të ashpër ndaj mini-shengenit dhe përpjekjet e Tiranës zyrtare për të injoruar Prishtinën politike. Shumë është folur e shkruar këto ditë duke analizuar plot pathos të mirat dhe të metat e asaj që dyshja strategjike Rama-Vucic e quan Shengeni Ballkanik.

Takimi i tretë radhazi në tre muaj, kësaj here në Tiranë, u përcoll edhe më me bujë dhe rropopujë si zakonisht. Por fakti ngelet që ka me tepër simbolikë sesa thelb, më tepër fasadë sesa substancë, me tepër propagandë sesa realpolitikë. Ngjashëm politikanët e të dy kaheve shfaqen më tepër populistë duke luajtur me dy regjistra të ndryshëm, kur Vucic e ngrys duke mohuar masakrën e Reçakut ku 45 shqiptarë të Kosovës u vranë pabesisht dhe barbarisht në 1999 nga serbët e Millosheviçit dhe e gdhin duke pirë slivovicë me Ed Ramën ose anasjelltas.

Përtej zhurrmës mediatike dhe analizave të mejhaneve faktet ngelen kokëforta. Së pari, koha e dyshimtë ku u aktivizua ky proces që shitet si largpamës dhe strategjik apo zgjatim i procesit të Berlinit.

Është fill pas refuzimit të çeljes së negociatave dhe shihet më së tepërmi si alibi ndaj dështimit të elitave të brendshme, ku sipas mendimit të shumë vëzhguesve të brendshëm dhe të jashtëm, Tirana mori në qafë edhe Shkupin i cili ishte ku e ku më i favorizuar për hapjen e negociatave në tetor dhe gëzonte mbështetjen e thuajse cdo vendi antar me përjashtim të Francës që për arsye të strategjisë së re që ka për Ballkanin Perëndimor (të shtatë blloqeve) i futi të dyja shtetet në një kllapë.

Duke legjitimuar kësisoj tezën e Ramës që BE është e preokupuar me problemet e saj dhe shtyrja në ‘kalendat greke’ të hapjes së negociatave nuk ka lidhje me fatin e mbramë të reformave të Tiranës. Tezë kjo e përgënjeshtruar edhe ng Makroni jo më larg se nëntori i këtij viti.

Së dyti, pikërisht në kohën që kjo iniciativë ndërmerrej nga Vucic dhe mbështetej entuziazmisht nga homologu i tij Rama, Serbia nënshkruante antarësimin e plotë në Unionin Euro-Aziatik duke hyrë në një treg të përbashkët pa kufizime tregtare dhe pa bariera tarifore me Rusinë dhe Bjellorusinë ndër të tjera.

A i bie me rregull të treshit që Tirana që është duke u përpjekur të realizojë katër liritë e lëvizjes së lirë me Serbinë të bëhet pjesë de facto e këtij Unioni? A është rastësore ftesa që i’u dërgua nga ambasadori i përhershëm rus pranë BE-së Tiranës dhe Shkupit fill pas refuzimit për të disajtën herë nga Brukseli për t’iu bashkangjitur zyrtarisht këtij Unionin Euro-Aziatik?

Së treti, përse Tirana duhej të investohej në një iniciativë të tillë që u injorua hapur nga Bosnja-Herzegovina dhe Mali i Zi por u kundërshtua me forcë nga krejt spektri politik në Prishtinë, pavarësisht dallimeve politike në shumëcka tjetër që ata kanë? Madje dhe nga Thaçi me të cilin duhet pranuar që Rama ka qenë shpesh në simetri gjeo-politike vitet e fundit përfshirë cështjen e shumë-debatuar të korrigjimit të kufijve.

Së katërti dhe në linjë me pikën e tretë, çfarë e ka penguar Tiranën që të jetë deri tani vendi i dytë me tarifat tregtare më të shtrenjta ndaj Kosovës në rajon. Fill pas Serbisë pavarësisht retorikës bujëmadhe dhe mbledhjes së përbashkëta të qeverive të dekoruara me flamujt përkatës dhe qoka të tjera protokollare. Përse Shqipëria nuk duket se ka përfituar nga taksa kosovare 100% ndaj produkteve serbe, pra nga bojkoti i legjitimuar i qeverisë aktuale të Kosovës ndaj mallrave serbë?

Së pesti, cili ka qenë reagimi i Shqipërisë për fushatën e tërheqjeve të njohjeve që ka lancuar Serbia kundër Kosovës në nivel ndërkombëtar? Por përsa i përket bllokimit efektiv që i ka bërë Serbia Kosovës në organizatat ndërkombëtare ku vecohet ndër të tjera UNESKO dhe së fundmi INTEPOLI?

Së gjashti, përpara se Shqipëria të mendojë të unifikojë tregun e punës me Serbinë, të njohë diplomat e kësaj të fundit si të ekuivalentuara me të sajat dhe të heqe barrierat tarifaore dhe jo-tarifore me të pse nuk i kryen këto hapa të vegjël të diplomacisë pro-aktive pikësëpari me Kosovën fqinjë me të cilën ndan një histori, por edhe kufi, një gjuhë por dhe memorie të përbashkët, një traditë dhe një kulturë, një etni dhe plot të përbashkëta të tjera.

Së shtati, pse Josep Borrell, përfaqqëuesi i lartë europian për politikën e jashtme dhe zv.presidenti i Komisionit Europian nuk erdhi në Tiranë sipas parashikimit për të përshëndetur këtë iniciativë që shitet lokalisht si vijëmësi e procesit të Berlinit? Përse asnjë përfaqësues i lartë i BE-së, Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë nuk është shprehur pro publikisht deri tani? Si do ndikojë kjo iniciativë në lidhje me procesin e negociatave Serbi-Kosovë?

Gjithashtu, përse Gjukanoviç i Malit të Zi, i cili mori pjesë vetëm në takimin e tretë, pra këtë të fundit të Tiranës, u shpreh skeptik për çfarëdolloj përpjekje për ta projektuar këtë iniciativë si rrugë paralele apo zëvendësuese të projektit të antarësimit në BE duke theksuar se ylli polar i qeverisë së tij është pikërisht përpjekja e pareshtur për t’iu bashkangjitur një orë e më parë familjes europiane. Synim që natyrisht e bashkë-ndan dhe kryeministri Zaev i Maqedonisë së Veriut.

Pikëpyetje këto me mjaft interes pasi djalli fshihet në detaje dhe që mos të ecim kùtùrù në përpjekje të palavdishme për t’i ngjasuar Adenauerit apo Shumanit ballkanik, duhen adresuar një orë e më parë.

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK