Kosovë
Rama i ashpër me zërat nga Kosova kundër ‘mini-Shengenit’: Këta mua të më shpallin tradhtar, këta mua?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka qenë i ashpër me kundërshtarët nga Kosova rreth ‘mini-Shengenit’, për çka do të mbahet edhe samit në Tiranë në fund të kësaj jave, transmeton Periskopi.
‘’Unë nuk e dua paqen dhe Shengenin rajonal dhe transformimin historik për t’i bërë Serbisë ndonjë nder, apo të mirën e saj, unë e dua për Shqipërinë, Kosovën dhe kombëtarët’’, ka thënë ai.
Tutje për Samitin e ‘mini-Shengeit’ në Tiranë, Rama ka thënë se është i hapur për të gjithë, pa përjashtime. Ndërsa vlerësoi se Kosova po gabon që refuzon pjesëmarrjen , pasi në të SHBA do të dërgojë edhe dy përfaqësues.
‘’Është e hapur për të gjithë dhe aspak përjashtuese’’.
‘’Unë nuk isha hero kur shkova në Beograd dhe nuk jam tradhtar sot që bëj këtë. Isha dhe jam unë, që bëj gjëra që besoj dhe i bëj me zemër dhe bindje. E kuptoj që me Serbinë, emocionet dhe e gjitha problemet nga Serbia, mund të bëhet politike në Kosovë, të fitohen pikë në elektoral, mund të bëhen pikë edhe atyre që më sulmojnë. S’keni bërë asgjë akoma me Qeverinë dhe tani që jeni zgjedhur mundoheni ta shihni horizontin e vështrimit, sepse i juaji është tash sa horizionti i një subjekti politik. Nuk më ndal dot askush duke u munduar të më kompleksojë, sharë e bërë pis me baltë. Besoj që kjo është rruga, dhe po të mos ishte, të paktën SHBA’të, jo nuk do t’i kishim mbështetëse dhe nxitëse të procesit, por do të na thonin stop se nuk është koha për të bërë një gjë të tillë’’,ka thënë Rama.
I pyetur në Zona B rreth heqjes së kufirit pas kësaj ideje, Rama u përgjigj:
‘’Nuk e heqim dot kufirin sepse nuk na lejon Amerika, BE. Kurse Shengeni rajonal e heq kufirin. Por në këtë proces ka shumë progres. Kufiri hiqet në momentin që të kemi nga Kosova dakordësinë për t’u ulur dhe ta bërë këtë proces. Kosova vetëm përfitime ka nga kjo histori. Shengeni është transformues për lëvizjen e njerëzve sepse nuk do hysh e dalësh me kontrolle, transformim për mallrat, kapitalet dhe shërbimet’’, ka thënë Rama.
‘’Këta njerëz nuk kanë lexuar cka kemi shkruar dhe nuk duan të dëgjojnë’’.
‘’Ky është një virus se kush është më patriot dhe kush të shpallet tradhtar. Këta mua të synojnë të më shpallin tradhtar, këta mua? Kjo nuk shkon’’,përfundoi Rama./PERISKOPI/





















