Lajme
Plani i Bashës, Rama kthen përgjigje

Në mbledhjen e jashtëzakonshme mbi situatën e krijuar në Shqipëri si pasojë e tërmetit, kryeministri Edi Rama iu përgjigj planit trepikësh të kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, sa i takon propozimeve të këtij të fundit për daljen nga gjendja emergjente.
Përpos ironizimit të planit në fjalë, Rama ka ftuar Bashën për të qenë pjesë e një tryeze të përbashkët.
“Opozita që pretendon të qeverisë vendin, jo vetëm nuk ka pranuar ende të ulet në tryezë për të diskutuar gjërat, ne jemi gati e në rast se idetë e tyre janë më të mira do të marrim të tyret se këtu nuk është situatë që të grindemi se kush e ka idenë më të bukur”.
“Këtu duhet të bëhet me e mira për njerëzit. Por, deri tani jemi njohur me tre pika që do të qenkëshin zgjidhja dhe është një komponent i ekranit të madh të ngjarjes ku fillon dita duke qarë e vazhdon duke qeshur e kthehet duke u pezmatuar pastaj duke buzëqeshur, gajasur e duke qarë prapë dhe këto tre pika janë absolutisht një ushqim për buzëqeshjen se nuk dua të them gajasjen se nuk dua të ndjehen keq kolegët e opozitës, por të thuash që të mblidhen 500 inxhinierë pika e parë, tani pse jo 600, pse jo 450”.
“Pika e dytë, të bëhet identifikim i dëmeve, por po bëhet. Kjo ka qenë gjëja e parë, kemi ngritur në këmbë dynjanë dhe është bërë Durrësi sikur është lagjja para OKB-së ku sheh të gjitha llojet e racave dhe gjuhëve. Pastaj, pika e tretë është qamet, të mos financohen oligarkët, dmth vazhdon loja, dhe 150 milionë që do të marrin oligarkët t’i marrë populli, po ca janë këto para që u dashka t’i spostojmë nga këto, dmth të ndalojmë kontrollin shëndetësor bazë falas”./ Top Channel



















