Connect with us

Kosovë

Pezullimin i Ligjit për Paga: Përplasje mes Sindikatave të Arsimit dhe Shëndetësisë me atë të Shërbyesve Civilë

Publikuar

Debate të ashpra janë zhvilluar mes drejtuesve të sindikatave të ndryshme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit për Paga.

Mursel Zymberi nga Sindikata e Shërbyesve Civilë të Kosovës, në Debat Plus në RTV Dukagjini, ka thënë kjo sindikatë ka kërkuar me kohë që Ligji i Pagave të mos miratohet për shkak të shkeljeve që janë bërë.

Ai ka thënë se nuk duhet të vihet në dyshim vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe se pajtohen me këtë vendim.

Zymberi ka thënë se me këtë vendim Gjykata Kushtetuese vendosi drejtësi dhe sipas tij Sindikata e Shërbyesve Civilë të Kosovës është për trajtim të drejtë të gjithë sektorëve.

“Ne kemi kërkuar me kohë që ky Ligj të bëhet. Por ai u bë shumë mbrapsht. Ligji i favorizoi sektorët e caktuar të Qeverisë të cilët mbanin pushtetin të ngulfatur dhe trajtonin kategori të caktuara në nivelin më diskriminues”.

Ai ka thënë se nuk janë kundër ngritjes së pagave për sektorin e shëndetësisë apo arsimit por duan barazi.

“Duam pagë të njëjtë për punë të njëjtë apo të ngjashme”, tha Zymberi.

Kryesindikalisti i Shëndetësisë, Blerim Syla ka sqaruar se nuk janë të njëjtë psikologu klinik me psikologun social siç pretendon Sindikata e Shërbyesve Civilë, pasi sipas tij psikologu klinik kryen edhe një specializim dy vjeçar për dallim nga ai social që ka vetëm shkallën Baçelor.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i SBASHK-ut, Ymer Ymeri ka thënë se Sindikata e Shërbyesve Civilë kanë thënë se nëse atyre u bëhet rritje e koeficientit prej 0.10 % do ta pranonin Ligjin e Pagave.

“Pse tash nuk po e pranojnë nuk e di, kur më herët vetë kanë deklaruar në televizion se e pranojnë”, ka deklaruar Ymeri.

Ka reaguar Mursel Zymberi nga Sindikata e Shërbyesve Civilë të Kosovës, i cili thotë se Arsimit dhe Shëndetësisë u janë ngritur koeficientet nga 0.30% ndërsa Shërbyesve Civil vetëm me 0.10%

“Pozita e shërbyesve civil është tejet fyese”, tha më tej Mursel Zymberi nga Sindikata e Shërbyesve Civilë të Kosovës.

Shaban Tasholli, nënkryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ka thënë se përkundër që Ligji nuk i ka kënaqur policinë ata kanë pranuar atë në mënyrë që të vihet në fuqi në dhjetor.

Ai ka thënë se policët kanë pritur ngritjen e pagave nga ky muaj duke shtuar se tashmë do të marrin masa tjera në koordinim edhe me arsimin e shëndetësinë.

NA NDIQ NË FACEBOOK