Lajme
Një minutë heshtje, “Miqtë e Evropës” nderojnë viktimat e tërmetit

Është mbajtur një minutë heshtje në nderim të 52 viktimave të tërmetit që goditi Shqipërinë më 26 nëntor.
Ka qenë kërkesë e sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal Majlinda Bregu, ajo që shtyu pjesëmarrësit e samitit “Friends of Europe” të bënin këtë gjest nderimi për viktimat e tërmetit më shkatërrimtar prej katër dekadash në vendin tonë, si dhe për të gjithë ata që u prekën prej tij.
Në këtë samit po merr pjesë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ku do të diskutohet për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
Situata në Shqipëri vazhdon të gjejë pasqyrim në mediat e huaja, të cilat po fokusohen tashmë tek fati që prokuroritë e Tiranës, Durrësit dhe Krujës kanë nisur hetime lidhur me ndërtesat e dëmtuara.
Në mënyrë të veçantë, theksohet fakti që hetimet janë përqendruar sidomos tek verifikimi i lejeve të dhëna për ndërtim, si dhe tek respektimi I rregullave dhe ndërtimet e paligjshme, shkruan Top Channel përcjellë Klan Kosova.
Tirana dhe Durrësi janë dy zonat më të prekura nga tërmeti, përfshirë dhe qytezën e Thumanës.
Sipas njoftimeve zyrtare, pjesën e hetimeve të cilat kanë nisur për veprat penale “Shpërdorim Detyre, Ndërtim pa leje dhe Dhënia e ndihmës për ndërtim pa leje”, janë lejet e ndërtimit të lëshuara nga autoritetet vendore, zbatimi i tyre nga ndërtuesit, si dhe rastet e ndërtimeve abuzive dhe mungesa e ndërhyrjes së autoriteteve përgjegjëse.


















