Lajme
Në LSDM thonë se koalicioni me BDI-në është “OK”, reagimet e Mukit i quajnë personale?!

Nga LSDM mohojnë se ka çarje në koalicionin qeveritar dhe se sipas tyre gjithçka vazhdon të funksionojë mbi bazën e parimeve dhe marrëveshjeve për bashkëqeverisje.
Këtë sqarim e ka dhënë sot deputeti i LSDM-së, Hari Lokvenec, duke komentuar përplasjet e fundit në rrjetet sociale dhe media midis nënkryetarit të partisë së tyre Muhamed Zekiri – Muki dhe zv/kryeministrit nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani. “Deri tani bashkëpunimi mes partnerëve qeverisës është e i pastër dhe i sinqertë. Komunikojmë mes vete dhe angazhohemi për t’i tejkaluar problemet e përditshme.
Gjithmonë ekzistojnë mendime personale dhe në këtë situatë kemi të bëjmë me mendime të tilla. Shqyrtimi i bashkëpunimeve vjen nga situatat momentale dhe deri sa kemi çështje të pa tejkaluara, sigurisht që organet e partisë do të veprojnë si duhet”, theksoi Lokvenec.
Reagimet midis dy partive për mosfunksionalitet shpërthyen ditëve të fundit edhe nga kryeministri Zoran Zaev, pas propozimit të mijëra amendamenteve për Kodin Zgjedhor nga ana e BDI-së. Zaev theksoi se do të shqyrtohet koalicionimi, edhe pse i kanë ngelur pak javë nga qeverisja e tij. Por përplasjet më pas vijuan mes Zekirit dhe Osmanit, sidomos ato të fundit për hapjen e kufirit Llojan – Miratoc. (INA)



















