Kosovë
Mushkolaj: Gjermanët patën të drejtë për çështjen e Presidentit, koalicioni VV- LDK, domosdoshmëri

Anëtarët e Bundestagut gjerman, Christian Schmidt dhe Peter Beyer, erdhën në Kosovë me një mesazh të qartë: Formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës.
Po dje, zyra e bashkimit Evropian në Kosovë, bëri thirrje që Qeveria të formohet sa më shpejtë dhe të procedohet me çështjet e rëndësishme që e presin vendin, siç është dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Thirrjes së zyrës së BE-së iu bashkua edhe Ambasada amerikane në Kosovë dhe ajo e Britanisë së Madhe.
Këto deklarata analisti polik Imer Mushkolaj, i ka parë si interes të ndërkombëtarëve që formimi i koalicionit në mes LVV e LDK-së të ndodhë sa më shpejt.
Mushkolaj ka kritikuar LDK-në për insistimin rreth postit të Presidentit, duke thënë se nuk mund të bllokohet marrëveshja për koalicion me LVV-në, vetëm për shkak të ‘interesave personale të dikujt që po synon të bëhet president’.
“Interesi i ndërkombëtarëve është që koalicioni të formohet, jo vetëm i tyre por edhe qytetarëve të Kosovës. Të dy partitë duhet të respektojnë vullnetin e qytetarëve dhe te krijojnë koalicion, pa marrë parasysh që dikush nuk e ka fort dert ta bllokojë marrëveshjen për interesa personale. Për tu akomoduar në postin e presidentit”, ka deklaruar Mushkolaj në një prononcim për Periskopin.
Mushkolaj shton se kërkesa e LDK-së për të propozuar Presidentin në vitin 2021, nuk përkon me vullnetin e qytetarëve, meqë zgjedhjet janë mbajtur vetëm për ekzekutivin dhe legjislativin.
“Kjo nuk është në rregull, sepse njerëzit kanë votuar për Qeveri e Parlament e jo për president që vjen pas 1 viti e gjysmë”, ka deklaruar Mushkolaj.
Njohësi i çështjeve politike në vend ka folur edhe për domosdoshmërinë që Kosova të formojë institucionet.
“Krijimi i institucioneve është i domosdoshëm për shkak të situatës së vështirë, për shkak të miratimit të buxhetit, dialogut ,me Serbinë dhe si me nisë luftën e shumë proklamuar për luftimin e krimit dhe korrupsionit”, ka deklaruar Mushkolaj.
Megjithatë, analisti kosovar dyshon se luftimi i krimit dhe korrupsionit mund të arrihet me koalicionin e ardhshëm qeverisës. Sidomos, thotë Mushkolaj, kur në qeverisje do të jetë LDK-ja e cila ka qenë në vazhdimësi pjesë e qeverive të mëparshme dhe bart përgjegjësinë për ‘kapjen e shtetit’.
“Kjo do të jetë e vështirë nga pengesat që vijnë nga vet strukturat e koalicionit qeverisës. Të mos harrojmë LDK vazhdimisht ka qenë pjesë e qeverive dhe ka përgjegjësinë ne kapjen e shtetit, të cilën thotë se do ta luftojë me Vetëvendosjen”, ka deklaruar Mushkolaj./Periskopi/





















