Lajme
Meta pas takimit me Mustafën: Shpresoj më të mirën për krijimin e institucioneve

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në vizitën e tij zyrtare në Kosovë ka vizituar edhe kryetarin e LDK-së Isa Mustafën në zyret e partisë së këtij të fundit.
Pas këtij takimi, Meta ka thënë se është shumë i kënaqur që shëndeti i Mustafës po përmirësohet.
“Ishte kënaqësi që të takoja kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, për shëndetin e të cilit kam qenë i preokupuar prej kohësh dhe jam shumë i kënaqur që e shoh shumë më mirë se herën e fundit. Shpresoj që atë shkopin ta flakë njëherë e përgjithmonë”.
Ai pati fjalë të mira edhe për nënkryetaren e kësaj partie Vjosa Osmanin e cila në zgjedhjet e 6 tetorit ishte kandidate për kryeministre, njofton Klan Kosova.
“Është kënaqësi që jam me Vjosa Osmanin e cila nuk ka qenë vetëm përfaqësuese e LDK-së, por ka qenë protagoniste e shkëlqyer për të gjitha gratë dhe vajzat që besojnë te demokracia si dhe roli dhe kontributi i tyre në jetën e vendit. Kosova ka shkëlqyer edhe në këtë drejtim, të rolit thelbësor të grave dhe vajzave në të gjithë shoqërinë e saj”.
“Shpresoj më të mirën për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës”.
Presidenti shqiptar edhe njëherë ka falënderuar qytetarët e Kosovës për të gjitha çfarë kanë bërë për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë në këto ditë të vështira pas tërmetit të 26 nëntorit.
“Edhe njëherë një falënderim për të gjithë qytetarët e Kosovës për gjithë çfarë kanë bërë në mbështetje të Shqipërisë, të vëllezërve dhe motrave të tyre të vendit tonë, për të përballuar këto pasoja të mëdha që ka lënë tërmeti i 26 nëntorit”.
“Aktualisht atje ndodhen me dhjetëra inxhinerë, specialistë dhe përfaqësues të shoqërive civile të angazhuar në fazën që do të zgjasë edhe më shumë dhe që do të kërkojë një plan mjaft mirë të menduar dhe të mbështetur, atë të rindërtimit dhe rikuperimit të të gjitha pasojave”.



















