Kosovë
Merkeli dërgon në Kosovë ekipin për ta lidhur koalicionin VV-LDK

Angela Merkel thuhet se ka dërguar një ekip të kryesuar prej njërit nga njerëzit më të afërt të saj, Peter Bauer drejt Kosovës. Nesër ekipi i Bauer do të zhvillojë takime të ndara me kryetearin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe atë të LDK-së, Isa Mustafën.
Burime të Blicit, kanë konfirmuar se ky delegacion është nisur në Kosovë me urdhër të kancelares gjermane Merkel, dhe se kjo mund të jetë përpjekja e fundit që gjermanët do e bëjnë për t’u arritur koalicioni mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.
Sipas agjendës së këtij ekipi të deleguar nga Merkel, bëhet e qartë, që në takimet e ndara me Kurtin dhe Mustafën, ata do të kërkojnë preraz që të ketë marrëveshje mes këtyre dy partive politike.
Bayer, është një politikan me të kaluar të madhe në shtetin gjerman dhe njihet si njëri ndër personat më të afërm të kancelares Merkel.
“Ata do të vijnë sonte vonë në Kosovë. Nesër do të ketë takime të ndara me kryetarin e VV-së Albin Kurti dhe të LDK-së, Isa Mustafa. Na është bërë e qartë që kjo do të jetë përpjekja e fundit dhe ultimatum i prerë nga zyra e kancelares gjermane, Angela Merkel, që të ndodhë koalicioni mes dy partive.
Ky ekip do të vijë me ultimatum të qartë për të dy liderët që koalicioni LVV-LDK, duhet të ndodhë sa më parë dhe se nuk guxon që të ketë zvarritje të këtij procesi”, ka thënë ky burim.
Gazeta Blic, takimin e këtij delegacioni me dy krerët e partive, e ka konfirmuar si nga VV ashtu edhe nga LDK, ani pse asnjë zyrtarë i këtyre partive nuk ka dashur që të flasin publikisht lidhur me këtë çështje.




















