Sport
‘Laureatët 2019’: Kryetari i UEFA: Duhet të jeni krenarë me atë që keni arritur deri tani, jeni duke shkruar historinë

Në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga FFK, ‘Laureatët 2019’, një mesazh nderi erdhi edhe nga udhëheqësi i shtëpisë më të madhe të futbollit në Evropë, Ceferin.
Kryetari i UEFA është shprehur i kënaqur me ecurinë e futbollit kosovar, duke thënë se duhet të jemi krenarë me atë që ka bërë Kosova.
“Të dashur miq, i dashur Agim Ademi, fillimisht urime për rezultatet fantastike prej kur vendi juaj është bërë anëtar zyrtar i UEFA-s. Vërtetuat se jeni vend i vërtetë i futbollit dhe duhet të jeni krenarë me atë që keni arritur deri tani. Jeni duke shkruar historinë.
Ju e dini se mund të llogaritni gjithmonë në mbështetjen e UEFA-s për t’ju ndihmuar në rritjen dhe zhvillimin e futbollit.
Sot ju jeni një nga anëtarët e 55-të të asociacionit tonë dhe shumë të respektuar. Po ashtu urime lojtarëve që do të pranojnë sonte çmime. Ju nuk jeni vetëm futbollistë, jeni model për gjeneratat e ardhshme. Ju përfaqësoni shpresë për rininë….
Duke përkujtuar ish-kryetarin tuaj dhe shokun tonë të dashur, Fadil Vokrri. Na mungon. Kualifikimi në Euro 2020, në muajin mars, do të ishte dhurata më e mirë për ta nderuar figurën e Fadil Vokrrit. Paçi fat!
Shijojeni ceremoninë. Jetoftë gjatë futbolli kosovar!” ishte mesazhi i Ceferin, përcjell lajmi.net.
Në këtë mbrëmje të madhe do të shpallet edhe lojtari më i mirë i vitit në Kosovë, për vitin 2019. /Lajmi.net/






















