Kosovë
Kush e ndihmoi më së shumti në të vërtetë Shqipërinë?

Prishtinë, dita e parë e muajit të fundit – Sot po merr fund një javë e mbushur me tërmete vrastare, me një bamirësi që zbulonte shpirtin e madh të shumë shqiptarëve e kosovarëve, me tendenca për të përfituar politikisht nga tragjedia, me certifikimin e zgjedhjeve dhe me arritjen e marrëveshjes për koalicion.
Të martën, afërsisht rreth orës 3 e 50 të mëngjesit, gjysma e Kosovës do të zgjohej nga gjumi pas dridhjeve të forta që lëkundën ndërtesat ku jetonin. Më pas morën vesh se Shqipëria e kishte pësuar keq nga një tërmet i madh me magnitudë 6,4. Orët dhe ditët që do të vinin do ta shfaqnin të plotë forcën monstruoze të kësaj katastrofe natyrore. 51 njerëz do të mbesnin të vdekur. Mbi 600 të tjerë ishin plagosur. Shumë ndërtesa ishin shembur, të tjera rrezikonin të shembeshin dhe mijëra shqiptarë mbetën pa kulm mbi krye. Për më tepër, qindra tërmete tjera, disa prej të cilëve mjaft të fortë, e goditën Shqipërinë edhe në ditët e tjera.
![]()
Kjo tragjedi bëri bashkë shumë kombe që shfaqën vullnetin e mirë për t’i ndihmuar Shqipërisë. Serbë e kosovarë ishin bashkë duke ndihmuar nxjerrjen nga rrënojat të qytetarëve shqiptarë. Por, kosovarët në veçanti u prekën shumë nga ajo që iu bëri vaki shqiptarëve në anën tjetër të kufirit. U mobilizuan në forma të ndryshme për të ndihmuar. Dhuruan para, ushqime, gjësende tjera, e bile edhe i çelën dyert e shtëpive të tyre.
Natyrisht, pati edhe nga ata që vullnetin e mirë nuk e kishin bash të mirë. Dhe ndihmën jo bash ndihmë. Pra, u krekosën për ndihmat që i dhanë dhe provuan të përfitonin moralisht nga ajo gjë.
Po ashtu, u raportua se shumë romë që kishin mbetur të pastrehë nga tërmeti u refuzuan nga kosovarët që specifikisht kërkonin vetëm shqiptarë për të strehuar. Doli se bamirësia nga disa bëhej me kushte. Dhe se ishte pak raciste. Pak? Nejse, shumë raciste. Duhej që të pastrehët të dukeshin të përvuajtur [pop. Gjynahqarë] dhe t’i përkisnin etnisë shqiptare. Këta të përvuajtur duhej të ishin edhe falënderues. E kështu me radhë.
Një pjesë e njerëzve që erdhën nga Shqipëria nuk gjetën strehim menjëherë. Disa deshën të ktheheshin menjëherë në Shqipëri. Ndërsa, nuk dihet se si qëndrojnë raportet mes shqiptarëve që po ndihmohen dhe kosovarëve që po ndihmojnë aktualisht. Të shpresojmë se gjithçka është në rregull.
Kryeministri i Shqipërisë bënte thirrje që të ndaleshin ndihmat materiale. Por, kosovarët nuk ndaleshin duke e shfaqur shpirtin e madh që e kanë në raste të tilla.
E ndërsa Shqipëria dridhej, KQZ-ja certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit. Nuk pati ndonjë ndryshim, përveç faktit që Nisma-AKR u fut përfundimisht në Kuvendin e Kosovës me 5,002 për qind të votave. Fituesja e vërtetë e këtyre zgjedhjeve ishte pa fije dyshimi Lista Serbe, e cila i mori 95,51 për qind të votave nga komuniteti serb. Vetëm 4,49 shkuan për koalicionet e tjera që ishin më lojale ndaj shtetit të Kosovës.
![]()
Por, ndërsa Shqipëria dridhej, Lëvizja Vetëvendosje për çudi mundohej t’i jepte një interpretim politik në favor të vetin kësaj gjëme. Elvis Hoxha nga kjo parti tha se një gjë e tillë tregonte se Bashkimi Kombëtar ishte i pashmangshëm në një emision lajmesh në Kosovë. Natyra na bashkoi – ishte pak-a-shumë fjala e tij, pas së cilës moderatori nuk dinte se çka të thoshte. Ai e kritikoi ashpër edhe shtetin e Shqipërisë, duke thënë se Vetëvendosje do t’i hynte edhe zgjedhjeve në Tiranë e në Shqipëri.
Sidoqoftë, kjo parti i la llafet duke arritur marrëveshje më në fund me LDK-në. Nesër pritet të nënshkruhet marrëveshja për koalicion qeveritar që për kryeministër do ta ketë Albin Kurtin. Nuk dihen ende termet e kësaj marrëveshjeje, dhe se cila parti ka lëshuar më shumë pe ndaj tjetrës. /Periskopi






















