Connect with us

Lajme

“Këtu një kriminel lufte po vjen të pozojë si bamirës”: Vuçiq sot do të pritet me protesta në Tiranë

Publikuar

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të pritet me protesta në Tiranë kur do të shkojë sot në takimin e Mini-Shengenit.

Lëvizja Vetëvendosje me qendër në Shqipëri ka thirrur protestën përballë hotelit “Rogner” ku do të qëndrojë Vuçiqi duke thënë se ai është ‘non grata’ në Shqipëri dhe se këtë vizitë po e shfrytëzon “për të përmirësuar imazhin e tij si kriminel lufte”, njofton Klan Kosova.

Para hotelit dje është vendosur një pankartë që thotë: “Këtu një kriminel lufte po vjen të pozojë si bamirës”.

Kryetari i Vetëvendosjes në Tiranë, Enis Sulstarova, për ardhjen e Vuçiqit dje ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe Mini-Shengenin e ka quajtur një nismë të dështuar qysh në nisje.

“Nesër fillon takimi i Mini-Shengenit, një nismë që varfëron shqiptarët. Këtu do të vjen presidenti Alekesandar Vuçiq që është kriminel lufte për mendimin tonë. Ai do të fillojë me disa aktivitete bamirësie dhe kjo bamirësi është një shpëlarje që i bëhet figurës së tij si kriminel lufte, sepse Vuçiqi ka qenë ministër në qeverinë e Millosheviqit më 1999, kur janë bërë krime të llahtarshme ndaj shqiptarëve”

“Serbia as nuk ka kërkuar falje për krimet që janë bërë për mbi 20 mijë gra të përdhunuara, mbi 10 mijë të vrar, nga ata 1000 fëmijë dhe 20 miliardë euro dëme që i ka bërë Kosovës. Këto borxhe në vend që Serbia t’ia kthejë Kosovës, nesër dhe pasnesër Vuçiqi do të udhëtojë nëpër Shqipëri duke u hequr si bamirës, duke u gjendur në këtë periudhë fatkeqësie për kombin shqiptar, duke shfrytëzuar këtë situatë të jashtëzakonshme ai, duke marrë rolin e një bamirësi dhe këtë gjë ia lejon kryeministri ynë Edi Rama”.

Sulstarova tha se ky është një mini-Minishengen, sepse nga 6 vende vetëm 3 marrin pjesë dhe se kjo po bëhet thjesht për t’i lënë mundësi Serbisë “për t’u shfaqur si aktor paqeje në Ballkan, kur Serbia është një aktor konfliktnxitës në Ballkan”.

“Për këtë arsye nesër në 17:30, në lulishten ‘Qemal Stafa’ që është përballë këtij hoteli do të thërrasim një aksion paqësor protestues për të thënë si qytetarë që Vuçiqi është ‘non grata’ në Shqipëri”.

NA NDIQ NË FACEBOOK