Kosovë
‘Jo lidhje dashurie, veç Qeveri’, ‘Sa më shpejt Qeveria e re’ – Presioni ndërkombëtar i së enjtes mbi LDK’në dhe VV-në

Dy deputetë gjermanë, Peter Beyer dhe Chrisian Schmidt, kanë qëndruar në Kosovë, ku janë takuar me zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithëse thanë se nuk kanë ardhur enkas për koalicion mes të dy partive, mesazhi i tyre ishte i qartë: kjo javë është vendimtare për një marrëveshjes mes të dyja partive. Përveç të deleguarve të Kancelares Merkel, sot kishte kërkesë edhe nga Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada amerikane dhe ajo britanike për formimin sa më të shpejtë të Qeverisë…
Deputeti gjerman Chrisian Schmidt ka thënë se kjo është javë vendimtare për formimin e Qeverisë së ardhshme në Kosovë.
Ai ka thënë se janë në Kosovë me kolegun e tij, deputetin Petet Beyer, për t’u informuar lidhur me zhvillimet e fundit dhe për to, do ta njoftojnë edhe Kancelaren Merkel.
“Sa i përket bisedimeve për formimin e qeverisë, unë kam udhëhequr katër palë bisedime në formimin e qeverisë në Gjermani, në këtë rast nuk është e thënë të krijohet një martesë dashurie. Për ta ilustruar këtë që thash, një nga presidentët federal të Gjermanisë, një nga pyetjet që i është bërë atij, ka thënë se ‘se e do gruan e tij’, prandaj dua të them se nuk është kjo të krijohen lidhje dashurie. Ajo që ka rëndësi është që të ketë besim mes palëve dhe kjo është serioze. Megjithatë, do të kisha pasur një rekomandim, marrë parasysh edhe përvojën time që përmenda, ekziston një rregull e artë, që juve si gazetarë mund t’iu dëshpërojë por duhet ta them: nëse bisedimet për koalicione janë në vazhdim e sipër, rregulla është mikrofoni, e jo telefoni”, ka thënë Schmidt, përcjell Periskopi.
“Ne me ata që kemi biseduar, jemi të njëjtit mendim që për një vend që sapo ka dalur nga zgjedhjet parlamentare, është e rëndësishme të ketë një qeveri stabile dhe të mos ketë lojëra taktike”, ka thënë ai.
“Koha që kemi zgjedhur për ta vizituar Kosovën mendojmë se është shumë e rëndësishme. Ne pas zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën në Kosovë mendojmë që kjo është javë vendimtare për vendin tuaj sepse periudha që po nisim tani është e rëndëishme edhe për formimin e Qeverisë. Për ne është jashtëzakonisht në interes tonin, të bëjmë të qartë që për ne, zhvillimi në Kosovë është me rëndësi të madhe dhe mendojmë se perspektiva e Kosovës në integrimin evropian është gjithashtu me rëndësi. Unë vij nga partia që është pjesë e Partive Popullore Evropiane dhe edhe nga ky aspect ka qenë një vizitë në interes që të zhvillohet në Kosovë. Donald Tusk më ka lutur mua që të vij në Kosovë të informohem rreth zhvillimeve aktuale dhe kemi ardhë bashkë me kolegun tim, Beyer dhe pas kësaj vizite duhet ta informojmë edhe Kancelaren Merkel”, tha ai, shkruan. Periskopi.
Thirrja e BE-së për LDK-në dhe VV-në
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, shefat e misioneve të BE-së në vendin tonë dhe i EULEX-it kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët.
Ata kërkojnë formimin e shpejtë të qeverisë së re dhe institucionet të vazhdojnë me reformat në zhvillimin ekonomik, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Kosovë dhe dialogun me Serbinë.
Deklarata e plotë:
Seanca konstitutive e Kuvendit është caktuar të mbahet më 26 dhjetor. Zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit i dhanë mundësinë popullit të Kosovës të ushtrojë të drejtën e vet demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet. Ky është thelbi i procesit demokratik. Ne besojmë se palët në fjalë do të arrijnë konsensusin e nevojshëm për të tejkaluar sfidat e mbetura.
Kosova duhet që me urgjencë të vazhdojë punën në reforma për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, si dhe sundim të ligjit, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë dhe dialogun me Beogradin të cilin e lehtëson BE-ja.
Nevojitet një formim i shpejtë i qeverisë për të çuar përpara këto procese, në interes të Kosovës dhe popullit të saj dhe në përputhje me Kushtetutën dhe dëshirën e shprehur të elektoratit.
Ambasada amerikane: Njerëzit po presin formimin e Qeverisë
Menjëherë pas deklaratës së Zyrës së Bashkimit Evropian dhe shefave të misioneve të BE-së në Kosovë ku kërkohet formimi i qeverisë së re dhe të vijohet me reforma dhe me dialogun, ka reaguar edhe Ambasada amerikane.
Ata janë pajtuar me këtë deklaratë duke thënë se qytetarët mezi po presin që të krijohet qeveria e re dhe të sillen ndryshimet e premtuara.
“Ne pajtohemi me BE-në: njerëzit e Kosovës janë të padurueshëm për një Qeveri që do të sjellë ndryshime pozitive”, thuhet në postimin e tyre në rrjetet sociale.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe pas më shumë se dy muaj kur kanë kaluar nga zgjedhjet e 6 tetorit, nuk kanë arritur ende një marrëveshje koalicioni. LDK insiston se pjesë e marrëveshjes duhet të jetë edhe çështja e Presidentit derisa Vetëvendosje është kundër kësaj. /Periskopi/





















