Kosovë
Gani Geci: Rexhep Qosja nuk është njeri apartiak, nuk bën për president

Akademiku i shquar kosovar, Rexhep Qosja, është emri i ri i përfolur si njeriu që mund të pasojë Hashim Thaçin në pozitën e të parit të shtetit. Kjo është komentuar së fundi nga anëtari i LDK-së, Gani Geci.
Më herët, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, kishte thënë se presidenti i ri nuk do të duhej të ishte as nga Vetëvendosje por as nga LDK-ja. Ajo kishte shtuar se presidenti duhej të ishte ashtu siç e kërkon Kushtetuta e vendit, një figurë unifikuese për të gjitha partitë.
Sidoqoftë, Gani Geci nga LDK u shpreh në emisionin Pressing në lidhje me një mundësi të tillë. Ai kontestoi z.Rexhep Qosja si një figurë unifikuese. “Vetëvendosje po kërkon njeri apartiak. Rexhep Qosja nuk është apartiak.” – tha z.Geci.
Kujtojmë se z.Rexhep Qosja ka qenë një ndër kritikët më të ashpër të qëndrimeve politike të LDK-së që nga themelimi i saj në vitin 1989.
Qosja madje është një ndër kritikët më të rreptë edhe të ish presidentit Ibrahim Rugova. Ai kishte qenë oponent politik gjatë periudhës së paraluftës.
Një tjetër kandidat i përmendur për president nga Vetëvendosje ishte edhe Murat Jashari.
Ndërkohë, te LDK-ja insistohet që kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, të bëhet president i vendit ashtu siç kishte raportuar Periskopi që në korrik të këtij viti. /Periskopi/




















