Connect with us

Kosovë

E quajtën masakrën “event”: Rastet tjera kur ShBA-ja kishte goditur Kosovën

Publikuar

Shtetet e Bashkuara të Amerikës [ShBA] para dy ditësh bënë një deklaratë mjaft kontroverse ku masakrën e Reçakut e quajtën ngjarje ndërkaq bënë thirrje për respektim të lirisë së shprehjes pas dënimit të ish ministrit serb, Ivan Teodosijeviq për mohimin e masakrës së tmerrshme.

Së fundi në lidhje me rastin reagoi edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi i cili tha se “mesazhi i tij nga Reçaku për burokratët e relativizimit ishte i qartë: Reçaku ishte masakër dhe jo “ngjarje”. Ky është sulmi më i fortë që pësojnë ShBA-të nga presidenti Thaçi deri më tash.

Sidoqoftë, ShBA-të nuk kishin qenë dhe aq konstruktive në raport me Republikën e Kosovës. Superfuqia e dikurshme imperialiste meriton të falënderohet për ndihmën e madhe humanitare që i dha Kosovës, por vlen të përmenden disa momente të tjera kritke.

Shpërfillja e Kurtit

Ky vend i madh e i fuqishëm inauguroi objektin e ri të ambasadës në Kosovë gjatë muajit korrik, dhe i cili dukej aq i madh sa ndërtesat qeveritare të përshkruara në veprën “1984” nga shkrimtari George Orwell. Megjithëse kishin ftuar liderët tanë institucionalë, e madje edhe politikanë nga LDK-ja, ShBA-ja shpërfilli krejtësisht z.Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje që pas vetëm disa muajsh do t’i fitonte zgjedhjet.

Madje, kjo ambasadë edhe pas daljes së rezultateve preliminare të 6 tetorit nuk kishte bërë asnjë postim për tri ditë rresht kur e kishte marrë vesh se Kurti dhe Vetëvendosje kishin dalë të parët.

Rrebet e ambasadorit Dell

Ish ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, aktualisht punon si konsulent i lartë në konsorciumin Bechtel dhe e cila merret me shtrimin e autostradave në vendin tonë. Natyrisht, këtë punë z.Dell nuk do ta fitonte sikur të mos punonte në Kosovë si ambasador.

Ai njihej për rrebet e tij dhe sjelljet e çuditshme që e bënë të sillej në mënyrë arrogante në shumë raste. Vlen të përkujtojmë polemikat me publicistin Veton Surroi.

Por, më e rëndësishmja ishte zgjedhja e presidentit të vendit përmes një zarfi, që kushedi se ku e kishte gjetur. Kjo përbënte shkelje flagrante të sovranitetit politik të vendit, por duket se z.Dell nuk ishte aspak i shqetësuar për një gjë të tillë.

“Llirja” e shkëlqesisë së saj Tracey Ann Jacobsson

Kur në skenën politike ishte formuar koalicioni VLAN dhe që mësynte ta linte në opozitë PDK-në, pas muajsh të gjatë stagnimi, ambasadorja Tracey Ann Jacobsson [e cila ndoshta mbiemrin e ka Jacobson, veç me një ‘s’] në një forum, pa fijen e marres ishte shprehur në formë banale “Mos e llini punën”.

Me ‘llini’ ajo kishte ndërmend procesin e dhjerjes.

Gjykata Speciale

Amerika ka pasur rol vendimtar në fuqizimin e Gjykatës Speciale pavarësisht opinioneve se prapa saj qëndronte Rusia e Serbia. Në të vërtetë, ShBA-të kishin dërguar edhe prokurorë specialë në vendin tonë për të hetuar pretendimet e Dick Martyt, dhe mbi ato pretendime, ishte themeluar Gjykata Speciale, ose Dhomat e Specializuara.

Kjo gjykatë ka karakter një-etnik dhe që praktikisht e njollos luftën dhe sakrificën e kombit tonë për liri e pavarësi duke i amnistuar krimet e bëra nga forcat serbe.

Ndërkohë, kur Hashim Thaçi me liderët e tjerë politikë të Kosovës provuan ta shfuqizonin ligjin që e themelonte Specialen, ishte pikërisht ambasadori i mëparshëm amerikan, Greg Delawie, bëri të pamundurën që ta ndalonte një gjë të tillë.

Taksa 100%

Pasi Kosova nuk u pranua në Interpol, kryeministri rreban i Kosovës, Ramush Haradinaj, u nervozua aq keq sa me shtytjen e Kadri Veselit, i vendosi taksë prej 100% mallrave të importuara nga Republika e Serbisë.

Dhe, në vend se të brengoseshin për Kosovën dhe të ardhmen e saj të paqartë ndërkombëtare, ShBA-të vendosën të bëheshin me Serbinë, dhe t’i bënin një presion të paparë Kosovës për ta hequr atë. Doli se ShBA-të po brengoseshin më shumë për 2%-shin e eksportit të Serbisë se sa për sovranitetin e Republikës sonë.

Megjithatë, ne nuk duhet të harrojmë ndihmën që ShBA-të dhanë në çlirimin, pavarësimin dhe ndërtimin e Kosovës. /Periskopi

NA NDIQ NË FACEBOOK