Connect with us

Kosovë

Analistët: Pozita e presidentit nuk do të duhej të ishte temë e diskutimit për arritjen e koalicionit

Publikuar

Ka dy ditë që liderët e partive politike, ai i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe ai i LDK-së Isa Mustafa, nuk kanë zhvilluar takim për arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje. Të shtunën kur edhe është mbajtur takimi i fundit në mes dy liderëve nuk ishte arritur marrëveshja për koalicion.

Njohës të zhvillimeve politike thonë se problematika kryesore e mos arritjes së një marrëveshje është posti i presidentit, të cilin vazhdon ta kërkojë Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkohë që kundërshtohet nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, sot në një konferencë për media pas takimit me kryetarët e degëve të LDK-së, tha se me Lëvizjen Vetëvendosje janë pajtuar në shumë gjëra në programin qeverisës dhe janë pajtuar deri diku edhe për ndarjen e përgjegjësive, por që tha se kanë mbetur edhe disa çështje për t’u diskutuar.

Mustafa deklaroi se posti i presidentit është çështje parimore dhe e mirëbesimit që duhet të krijohet mes dy partnerëve dhe që edhe ndarja e pozitave të bëhet e tillë që asnjëra palë të mos del super e fuqishme nga ky koalicion.

“Edhe çështja e presidentit mendojmë që është çështje parimore, themi çështje e një ekuivalence e cila duhet të krijohet mes dy partnerëve dhe po ashtu është çështje e mirëbesimit ndërmjet nesh, në mënyrë që edhe ndarja e pozitave të bëhet e tillë që asnjë palë të mos del super e fuqishme nga ky koalicion. Por, të kemi pjesëmarrje tonë në ndarje të përgjegjësive karshi votës të cilën e kemi marrë para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kjo është kërkesa jonë e vetme, në asnjë kërkesë personale as formulë personale nuk ka në këto biseda të cilat janë zhvilluar deri më tani, por janë çështje që ne dëshirojmë që edhe interesin e subjekteve tona që i përfaqësojmë në bisedime edhe atë të qytetarëve që presin para nesh t’i barazojmë dhe të kemi përgjegjësi të barabartë të themi edhe politike, por edhe para qytetarëve tanë”, tha ai.

Sa i përket emrit se kush do të jetë personi që do të propozohet për këtë pozitë, Mustafa tha se kur të vijë koha në vitin 2021 organet e LDK-së do ta bëjnë këtë propozim.

KP ka provuar të marrë një qëndrim nga Lëvizja Vetëvendosje rreth asaj se a do t’i ofrojnë LDK-së postin e presidentit, por që nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje.

Analisti politik Rasim Alija, për KosovaPress thotë se palët kanë mbetur pa e nënshkruar marrëveshjen për shkak të mosmarrëveshjeve rreth postit të presidentit.

“Absolutisht palët po shihen që kanë mbetur te kjo pjesa e presidentit dhe kjo ka të bëjë me pjesën që të dy subjektet politike e dinë mirëfilli që përpos marrëveshjes për koalicion dhe bashkëqeverisjes është edhe problemi tjetër e që është fuqia brenda koalicionit. Kush do ta ketë fuqinë ose kush do ta ketë rolin kryesor brenda koalicionit. Është krejt normale që rolin kryesor si parti fituese me e pas LVV, mirëpo pikërisht këtë bazë LDK e dinë që në një qeveri me LVV-në gjasat që të tkurret si subjekt politik janë shumë të mëdha. Shto këtu faktin edhe mundësisë së mos marrjes së një pozite siç është ajo e presidentit do ta bënte LDK-në një subjekt politik, i cili në zgjedhjet e ardhshme do të mund të përfundonte e treta ose e katërta. E gjithë çështja është bllokuar ose ka qenë qysh nga fillimi pikë problematike çështja e presidentit”, thotë ai.

Mirëpo, Alija thotë se të dy partitë nëse duan të bashkë qeverisin atëherë ato duhet të bëjnë kompromise, madje sipas tij, nuk është problematike që të dy liderët të merren vesh qysh tani për postin e presidentit.

“Nëse palët duan të kenë bashkëqeverisje dhe një koalicion, ato duhet të bëjnë kompromise, e në këtë aspekt i bie që pranojnë edhe kërkesat dhe refuzimet, LDK të pranojë edhe refuzimet e caktuara dhe njëkohësisht LVV të pranojë edhe këtë pjesën tjetër rreth kërkesës së LDK që është çështja e presidentit. Nëse tash siç po deklarohet nga subjektet politike çështja e presidentit nëse diskutohet tash është pazar, çka ndryshon pas një viti e gjysmë. Pra, do të jenë të njëjtit deputetë, do të jenë të njëjtat subjekte politike, mbi të gjitha do të jetë e njëjta mënyrë e zgjedhjes së presidentit, sepse deri pas një viti e gjysmë kur presidenti e kryen mandatin nuk ka gjasa reale që të shtyhet tutje reforma që do të mund të ndryshonte që presidenti të zgjidhej nga populli”, thotë ai.

Ndërsa, Artan Demhasaj nga organizata Çohu, thotë se mospajtimet për postin e presidentit ka bërë që LVV dhe LDK të mos arrijnë marrëveshje.

Ai thotë se për shkak të kësaj pozite të dy partitë nuk janë takuar as dje dhe as sot, pasi sipas tij shihet se asnjëra palë nuk ka lëvizur nga pozicionet që i kanë momentalisht.

Demhasaj thotë se pozita e presidentit nuk do të duhej të ishte temë e diskutimit për arritjen e koalicionit në mes LVV-së dhe LDK-së.

“Pa fije dyshimi, ne po flasim për krijimin e qeverisë dhe nuk po flasim për presidentin, për shkak se presidenti ka mandat edhe një vit e gjysmë. Kështu që, nuk ish dashur të bëhet kjo që mos të arrihet marrëveshja për shkak të një pozite, e cila ka akoma mandat. Momentalisht ishte dashur të merren vesh për ndarjen e posteve qeveritare dhe të vazhdohet me krijimin e institucioneve, në mënyrë që të vazhdohet puna dhe të mos bllokohet gjithçka, apo të mbetet komplet Kosova e bllokuar dhe të hyhet në një krizë politike deri me gjasë për të ardhur edhe zgjedhje të tjera për shkak të mos kalimit të një situate të tillë, siç është pozita e postit të presidentit. Të dy subjektet mundem të merren vesh dhe menjëherë posa të krijohet qeveria të fillojë reforma zgjedhore, të kryhet reforma zgjedhore, kur të vijë koha për zgjedhjen e presidentit, ai të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli ose me u marr vesh për të kandiduar këto dy subjekte politike një figurë që nuk vjen nga asnjëra prej këtyre partive politike, pra të jetë një figurë konsensuale”, ka thënë ai përmes telefonit për KosovaPress.

Demhasaj thotë se nëse Vetëvendosja pranon që posti i presidentit t’i takojë LDK-së, do të bëhej sikur LDK në vitin 2014 kur kishte pranuar që posti i presidentit t’i takojë PDK-së.

“Qysh në start tregon që mendësia qeverisëse dhe ndarja e resorëve qeveritare nuk dallon nga e kaluara, për shkak se edhe në vitin 2014 është arritur një marrëveshje koalicioni mes PDK dhe LDK pikërisht duke e futur edhe pozitën e presidentit në pazar politik. Nëse LVV e pranon një kusht të tillë, atëherë kjo nuk e dallon nga LDK-ja e asaj kohe, e cila e bëri kryetarin e PDK-së president. Kështu që, unë mendoj që LVV duhet të këmbëngulë në këtë pikë dhe nuk duhet assesi që të lëshohet pe në këtë pikë”, thotë ai.

Kujtojmë se në Kosovë zgjedhjet janë mbajtur me 6 tetor dhe partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës partia e dytë. Këto dy parti edhe pas 11 takimeve të deritanishme nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët për formimin e qeverisë së re.

NA NDIQ NË FACEBOOK