Kosovë
“Albini është shpirti im”: A u bë Bahtiri njeriu më i afërt i Kurtit në Vetëvendosje?

Periskopi është munduar të marrë një prononcim nga z.Agim Veliu pas takimit të raportuar të tij me kryetarin e Mitrovicës dhe aktivistin e thjeshtë të Vetëvendosjes, z.Agim Bahtiri por ai nuk e ka çelur telefonin. Sidoqoftë, vlen të pyesim: pse Agim Bahtiri është kaq i rëndësishëm për VV-në?
Në fakt, Bahtiri vetëm aktivist i thjeshtë i Vetëvendosjes nuk mund të jetë. Në një mori rastesh ai i është referuar kryetarit të Vetëvendosjes, z.Albin Kurti, si “shpirti im” dhe ka pretenduar se e njeh atë “shpirtërisht”. Madje, kur kishte kaluar në Vetëvendosje ai kishte deklaruar publikisht se “ishte 24 orë në shërbim të Kurtit”.
![]()
Por, duket se z.Bahtiri është ngarkuar edhe me një detyrë shtesë nga subjekti të cilit i takon.
Bahtiri u raportua nga Express se ishte parë në një restorant të Milloshevës duke diskutuar me z.Agim Veliu, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, përcjell Periskopi.
Nuk dihet se për çka është biseduar në këtë takim, por në fotografitë e siguruara vërehet Veliu në një rast me një qëndrim mjaft të nevrikosur karshi z.Bahtiri.
Më herët ishte raportuar se për lidhjen e koalicionit mes VV-së dhe LDK-së ishin takuar edhe babai i kryetarit të VV-së, z.Kurti, me vëllain e Agim Veliut dhe vëllain e Isa Mustafës. Nuk dihet përmbajtja e këtyre bisedimeve, po ashtu.
![]()
Por, pas takimit të dy politikanëve që kanë të njëjtin emër, ka shpërthyer gallata në mediat sociale. Një aktiviste politike e ka quajtur koalicionin eventual mes LDK-së dhe VV-së si “koalicion agimesh” por pa i nënkuptuar këtij koalicioni një kuptim negativ.
Ndërkohë, presidenti Hashim Thaçi u pajtua gjatë ditës së sotme me propozimin e Albin Kurtit që të takoheshin të hënën më 6 janar në Presidencë.
Kujtojmë se z.Veliu është akuzuar nga aktivistët e Vetëvendosjes për afërsinë e tij me figurat e larta të PDK-së, por në anën tjetër, edhe z.Agim Bahtiri në disa raste është fotografuar me kryetarin e kësaj partie, Kadri Veselin dhe presidentin e vendit që ishte kryetar më herët, Hashim Thaçin. Megjithatë, aktivistët e Vetëvendosjes e kanë heshtur afërsinë e aktivistët të tyre të thjeshtë.
![]()
Bahtiri kishte qenë njeri i rëndësishëm edhe në lidhjen e koalicionit qeverisës mes partive të PAN-it me AKR-në, parti të cilës i takonte më herët.
Ndërkohë, Agim Bahtiri ka qenë një ndër njerëzit më të zëshëm pas zgjedhjeve të 6 tetorit për arritjen e marrëveshjes me LDK-në duke mos humbur optimizmin pas asnjë takimi jofrytdhënës që ndodhte mes palëve. /Periskopi






















