Kosovë
Adem Grabovci në seancën për rastin Pronto: Dënimin moral veç e kam kryer

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, i akuzuar në rastin “Pronto”, Adem Grabovci në fjalën e tij përfundimtare, ka thënë se dënimi publik e moral veçse është kryer dhe se pafajësia e tij është vërtetuar edhe nga fjalët e prokurores speciale që sipas tij në shumë raste ka rënë në kundërshtim me vetën.
“Dënimi publik, moral veç është kryer, ndërsa këtu e tri vite unë kam heshtur, jo pse s’kam pasur se çfarë të them, por sepse kam dashur të besoj në institucionin përkatës edhe kam besuar në të drejtën, çka u vërtetu edhe këtu gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor edhe nga vet fjalët e prokurores,, qoftë në fjalën hyrëse, qoftë në përfundimtare, se në shumë raste ka rënë në kundërshtim me vetveten”, ka thënë Grabovci.
Së bashku me Grabovcin, në këtë rast po akuzohen edhe ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të akuzuar të tjerët, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së hënës, Grabovci ka thënë se për të ekzistuar një vepër penale duhet të ekzistojë pala e dëmtuar dhe ajo që ka përfituar.
“Edhe në fjalën hyrëse kam kërkuar që të paktën të më bëni nder vetëm një njeri, një dëshmitar që të mund të thotë që ia kam mohuar të drejtat dikujt, unë atëherë do të isha dakorduar, por kjo nuk është dëshmuar dhe nuk do të dëshmohet kurrë. Unë e them me bindje të thellë se unë gjatë tërë jetës sime, i kam 40 vite të plota aktivitet që kam punuar me përkushtim, për të mirën, mirëqenien e këtij populli, nuk e kam pritur që një institucion i vendit tim të më akuzojë se unë i kam shkelur të drejtën dikujt. Kam pritur nga prokuroria të më tregojë se cilin ligj e kam shkelur”, ka thënë Grabovci.
Tutje, i akuzuari Adem Grabovci tha se kjo akuzë është politike, duke i’u referuar deklarimeve të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, për rastin në fjalë.
Të njëjtat deklarime i përmendi edhe mbrojtësi i tij, avokati Florent Latifaj.
“Aleksandër Lumezi në një intervistë thotë se nuk ka me pas hetim në çështjen “Pronto” sepse këto përgjime kanë qenë subjekt i hetimeve të një prokurori tjetër, ndërsa Imer Beka ka thënë “çuditem se një çështje duhet të fillojë me një procedurë e të përfundojë në një procedurë tjetër””, ka thënë Latifaj.
Në fjalën përfundimtare, avokati Florent Latifaj, ka thënë se për të keqpërdorur një pozitë zyrtare, duhet ta kesh një të tillë, e se klienti i tij nuk ka pasur.
“Për ta keqpërdorur një pozitë zyrtare duhet ta kesh atë pozitë zyrtare. Kemi ardhur në një situatë që prokurori nuk provon asgjë, ne duhet edhe të propozojmë dëshmitarë për të provuar të kundërtën e asaj që pretendon prokuroria”, ka thënë Latifaj, në seancën e së hënës të mbajtur për këtë rast.
Në fjalën e tij përfundimtare, avokati Latifaj ka deklaruar se në këtë rast nuk është vërtetuar asgjë, përpos asaj se disa njerëz kanë biseduar në telefon mes vete.
“Nuk ka mundur asgjë me u vërtetu, pos që disa njerëz kanë biseduar në telefon mes vete, por as nuk janë zyrtar të cilat do mund të ndikonin për punësimin e personave të ndryshëm për të cilat pozita në fund dikush tjetër ka vendosur që të vazhdohen mandatet”, ka thënë ai.
Latifaj ka thënë se i mbrojturi i tij akuzohet se dy herë ka kryer veprën penale të të shkeljes së statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës dhe shtatë herë ka mbetur në tentativë, e që sipas tij, vepra duhet kryer e jo të mbetet në tentative.
“Kjo vepër penale për tu kryer duhet të përmbushen disa elemente. Kjo vepër duhet të kryer e jo të mbetet në tentativë, e jo nga një person që nuk ka pasur mundësi të ndikojë. Nëse konsiderohet tentativë biseda telefonike kemi problem serioz për të përmbushur elementet qenësore për t’u kryer kjo vepër penale”, ka thënë Latifaj.
Avokati i Grabovcit tha se klienti i tij nuk ka pasur funksion që të ndikojë, pasi sipas tij, Grabovci nuk ka qenë pjesë e asnjë komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fund, avokati ka kërkuar nga gjykata që ndaj Grabovcit të merret aktgjykim lirues, pasi sipas tij, nëtë kundërtën gjykata do të krijojë një praktikë të rrezikshme juridike dhe një praktikë të rrezikshme për qytetarët e këtij vendi.
Ndryshe, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).






















