Connect with us

Kosovë

VV zvarrit edhe më shumë certifikimin e rezultateve: Dorëzon ankesë për një grusht votash në Supreme

Publikuar

Duket se do të kemi një tjetër zvarritje të shpalljes së rezultateve përfundimtare për zgjedhjet e 6 tetori. Lëvizja Vetëvendosje do të dorëzojë një tjetër ankesë në Gjykatën Supreme sa i përket një grumbulli të vogël votash që mbërritën nga diaspora.

Sipas kësaj partie politike, refuzimi për t’i numëruar krejt votat e ardhura nga diaspora është përpjekje e kundërligjshme dhe e motivuar politikisht edhe pse nuk dihet se çka do t’i hynin në punë rivalëve të saj politikë ato pak vota.

Kjo pasi që 1806 fletëvotime të diasporës sonë nuk janë numëruar dhe kjo ka zemëruar partinë e z.Kurti.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi ka thënë se me qëllim të kalkulimeve në prapavijë, po vonohet qëllimisht certifikimi i rezultateve përfundimtare.

“Refuzimi për ta zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme si nga SKQZ edhe nga PZAP, është qartazi përpjekje e kundërligjshme e motivuar politikisht dhe e koordinuar në mes tyre. Duke ju shërbyer interesave politike të palëve të ndryshme e kalkulimeve në prapavijë, po vonojnë qëllimshëm certifikimin e rezultateve përfundimtare”, ka shtuar ai.

Vetëvendosje për këto vota ishte ankuar fillimisht në PZAP, derisa, nga ky organ kishin vendosur se e njëjta ankesë të refuzohet si e pabazuar.

Pas refuzimit nga PZAP nga Vetëvendosje do të drejtohen në Gjykatë Supreme me këtë ankesë. Kështu kanë deklaruar nga partia e Albin Kurtit për Gazetën Express.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sa i përket mos numërimit të këtyre votave që kishin ardhur nga diaspora, ishte bazuar në vendimin e Gjykatës Supreme.

“Duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Supreme, janë vlerësuar 4 mijë e 639 pako të supozuara me fletëvotime dhe në fund kemi 5 mijë e 882 pako me fletëvotime të individualizuara. Pas vlerësimit të tyre janë aprovuar 4 mijë e 670, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 212”, kishin deklaruar nga ky institucion./Periskopi

NA NDIQ NË FACEBOOK