Kosovë
Shkencëtarët kapin evolucionin në veprim: Drerët e kuq ndërrojnë mënyrën se si shumohen

Tufa drerësh të kuq në një ishull skocez po iu ofrojnë shkencëtarëve provën e parë të kafshëve të egra që evoluojnë ndryshe për shkak të ndryshimeve klimatike si pasojë e aktivitetit njerëzor.
Një studim i ri mbi këta drerë që jetojnë në ishullin Hebridean në Skoci zbuloi ndryshime gjenetike që besohet se lidhen me ngrohjen globale.
Duke përdorur të dhëna nga hulumtimet e mëhershme që prej viteve ’70, ekipi i shkencëtarëve, që përfshin profesorë me nam nga Universiteti i Edinburgut, zbuloi që datëlindjet mesatare po bëheshin më të hershme në një shkallë prej tri ditësh për dekadë, kjo për shkak të efekteve që krijonte rritja e temperaturave mbi sjelljen dhe fiziologjinë e drerëve.
Tash, shkencëtarët kanë gjetur se ndryshimet gjenetike të shkaktuara nga seleksionimi natyror – teoria e evolucionit që u përgatit nga Charles Darwin – po ashtu po përfshihet, shkruan Independent, përkthen Periskopi.
Drenusha e kuqe polli nga një dren të vogël çdo vit, dhe ata që u riprodhuan më herët gjatë vitit kishin më shumë pasardhës gjatë jetës së tyre, kanë thënë shkencëtarët.
Gjetjet e tyre tregojnë se kjo është pjesërisht për shkak të një lidhjeje mes gjeneve që i bëjnë drenushat të lindin më herët dhe për shkak të suksesit të shtuar të përgjithshëm shumues. Si rezultat, gjenet për t’u shtuar më herët janë bërë më të zakonshme te drenat e kuq me kalimin e kohës.
Timothee Bonnet, udhëheqëse e hulumtimit, tha se “ky është ndër rastet e pakta kur e kemi dokumentuar evolucionin në veprim, duke treguar që mund t’i ndihmojë tufat t’i adaptohen ngrohjes klimatike.”
Hulumtimi është publikuar në gazetën PLOS Biology. /Periskopi





















