Lajme
RCC mbështet nismat për krijimin e një tregu të përbashkët në Ballkanin Perëndimor

Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal ka marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Ohër.
“Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal mbështet të gjitha nismat që kontribuojnë drejt një agjende për krijimin të një tregu të përbashkët për rajonin tonë të ngjashëm me tregun e BE-së, bazuar në katër liritë. Nismat duhet të pasqyrojnë plotësisht modelet e BE-së dhe në këtë mënyrë të përfaqësojnë një gur themeli në integrimin tonë të plotë në BE “, tha Sekretarja Bregu pas takimit të sotëm të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Ohër.
“Heqja përfundimtare e barrierave brenda rajonit tonë është urgjentisht e nevojshme. Në verë në Samitin e Poznanit, RCC inicioi idenë për një marrëveshje rajonale të udhëtimit me karta identiteti në rajon, ndaj mirëpresim të gjitha nismat e agjendave reale të liberalizimit për rajonin tonë, qofshin ato në lidhje me transportin dhe lehtësimin e tregtisë, lëvizshmërinë, digjitalizimin ose fusha të tjera, pasi nuk ka vend për proteksionizëm. RCC është e gatshme të lehtësojë dhe intensifikojë punën për zbatimin e Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Rajonale Ekonomike (MAP REA) dhe më gjerë, besimplotë se do të arrihet një kornizë gjithëpërfshirëse, tha Bregu duke shtuar se nismat e lindura në rajon për zhvillimin ekonomik të tij paraqesin kuptimin e mirëfilltë të natyrës dhe përfitimeve të bashkëpunimit rajonal”.
“Ne jemi në pritje që ky proces të paraqesë vizionin dhe të nxisë nisma dinamike për përmirësimin dhe forcimin e pronësisë së MAP REA të ri të përditësuar, si dhe për të ardhmen e Procesit të Berlinit. Kjo iniciativë gjithashtu ka potencialin për të kontribuar në propozimet për metodologjinë e re të anëtarësimit në BE dhe ky vendim duhet të merret me të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor (BP) në bord, por gjithashtu të thërrasë rreth tryezës Sekretariatin e Komunitetit të Transportit dhe të CEFTA-s “.
Pjesëmarrësit e takimit diskutuan nismën për heqjen e barrierave për lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve në të gjithë rajonin. Përveç liderëve të BP dhe RCC, morën pjesë gjithashtu përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE), Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane të Investimeve. Takimi tjetër parashikohet të zhvillohet në Durrës më 21 Dhjetor.
klankosova.tv





















