Lajme
Protesta kundër rasteve të montuara në Shkup

“Jo drejtësisë selektive” dhe “Liri rasteve të montuara” ishin parullat e protestës në Shkup kundër rasteve të montuara politike. Protesta nisi nga parku i Çairit për të vazhduar marshin deri në Kuvendin republikan. Protestuesit kërkojnë hetim ndërkombëtar për rastet gjyqësore, siç janë Rasti “Lagja e Trimave”, “Alfa”, “Monstra” etj, raporton TVM2.
“Që nga viti 2002, të gjithë për ne janë raste të montuara dhe raste të fabrikuara për arsye se të gjithë janë dënuar me dëshmitarë të fshehur, pa ekspertiza profesioniste, pa dëgjimin e dëshmitarëve, të cilët janë propozuar nga mbrojtja dhe në shkelje të dhjetëra procedurave juridike, për shkak të të cilave ata duhet menjëherë të lëshohen në liri”,- tha ish i burgosuri politik, Shpëtim Pollozhani.
“Ne këtu jemi mbledhur për të kërkuar hetim ndërkombëtar, sepse sistemi i drejtësisë i këtij shteti ka dështuar. Unë në emër të protestuesve kërkoj drejtësi për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, duke pasur të drejta aq sa edhe populli sllavo-maqedonas”,- deklaroi organizatori i protestës, Blerim Ahmedi.
Sipas protestuesve, fajin kryesor, për drejtësinë selektive e kanë partitë politike, prandaj protestën e organizuan para Kuvendit.
“Ne jemi këtu për të demonstruar se padrejtësia buron nga kjo shtëpi këtu. Ne ju kemi votuar që të na sillni drejtësinë”,- theksoi djali i Xhem Has Gostivarit, Qani Hasa.
“Pyes Ali Ahmetin, si ka mundësi që njerëzit e pafajshëm si rasti i Sopotin, të rrijë dekadave nëpër burgje, kurse ti të rrish aq i qetë në kolltuqet e qeverisë?”,- u shpreh vëllai i Rexhail Qerimit (i dënuar për rastin “Alfa”), Jetulla Qerimi.
Protesta është përkrahur edhe nga Lëvizja “Besa”. Protestuesit thanë se nuk do t’i ndalojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre./al.mrt.com.mk/













