Connect with us

Kosovë

Profesionalizmi i FSK-së s’është vetëm meritë e jona, por edhe e partnerëve tanë – Lajmi.net

Publikuar

22:20 | 28 Nentor 2019

Njësitet e Specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës me punën e tyre profesionale u bënë heronjtë më të mëdhenj në operacionet e kërkim-shpëtimit në Shqipëri pas goditjes së fuqishme të tërmetit vdekjeprurës.

Në punën e tyre të jashtëzakonshme për mbi tashmë 60 orë ata shpëtuan shumë njerëz, por edhe ndihmuan në nxjerrjen e trupave të pajetë që kishin mbetur poshtë gërmadhave të objekteve të shembura.

Gjithë kjo performancë shumë e mirë e FSK-së u vlerësua jashtëzakonisht lart nga krerët e shtetit shqiptar, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë që e vlerësuan si ‘profesionalizëm të klasit botëror’.

Gjenerali i FSK-së, Rrahman Rama, është megjithatë modest kur thotë se ky profesionalizëm i treguar së fundmi në Shqipëri është meritë e të gjithë atyre që kanë ndihmuar në ngritjen e profesionalizmit të FSK-së.

“Realisht, kjo meritë dhe profesionalizëm i treguar në këtë rast tragjik në shtetin shqiptar nuk është vetëm meritë e jona, por edhe e partnerëve tanë që na kanë mundësuar dhe na kanë ndihmuar në trajnim, por edhe me pajisje specialistike”.

“Shumica e atyre vendeve që unë kam takuar, ne kemi pasë bashkëpunim dhe kemi shkëmbyer eksperiencat me ta. Më gëzon fakti që në Thumanë njësia jonë ka punuar me Njësinë e Kërkim-Shpëtimit të shtetit grek dhe ne e dimë që ata nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, por komunikimi ka qenë i shkëlqyeshëm”.

“Kam pasur mundësinë që të kontaktoj me pjesëtarët e ushtrisë greke dhe ata janë impresionuar me profesionalizimin, përkushtimin, angazhimin dhe disiplinën që kanë treguar ushtarët tanë”.

“Në Durrës kemi vepruar me Njësitet e Specializuara të Rumanisë, që po ashtu nuk na kanë njohur si shtet”.

“E kemi ngritur këtë profesionalizëm bashkërisht me partnerët tanë, sidomos me partnerët strategjikë – SHBA-të”.

Rama në Zona e Debatit në Klan Kosova e ka komentuar edhe “Fotografinë e Ditës” që kryeministri shqiptar Edi Rama e ka publikuar në Facebook që për personazh ka një pjesëtar të FSK-së që personifikon të gjithë heronjtë e Ushtrisë së Kosovës.

Ai ka treguar se personazhi është Haki Rama dhe është pjesëtar i Policisë Ushtarake të Ushtrisë së Kosovës.

Gjenerali Rama e ka ripërsëritur se krejt ky profesionalizëm i FSK-së është më së paku meritë e tij.

“Është meritë e të gjitha vajzave dhe djemve që kanë arritur profesionalizimin, përkushtimin dhe disiplinën që e kanë treguar gjatë këtij rasti, por që e tregojnë edhe çdo ditë”.

“Më së paku është meritë e imja, por unë jam në krye të këtij institucioni dhe ndihem i privilegjuar. Do të punojmë shumë më shumë që të jemi të ndërveprueshëm me të gjithë partnerët, jo vetëm në këtë rast tragjik, por jemi në rrugë të mirë që të jemi pjesë edhe e misioneve tjera paqeruajtës krah për krah me partnerët tanë”.

“Më gëzon fakti që kemi arritur të jemi të ndërveprueshëm, të mos jemi shpenzues të sigurisë, por të jemi prodhues të sigurisë që ka qenë një nga prioritetet e mia kryesore dhe të institucionit që përfaqësoj”.

“Ka ushtri që flasin shumë dhe janë shumë më aktivë qoftë edhe në kuptimin e fjalës, por ne flasim pak, por veprojmë, trajnohemi, profesionalizohemi dhe jemi të gatshëm që të veprojmë dhe t’i shërbejmë të gjithë qytetarëve të vendit, por edhe jashtë”.

NA NDIQ NË FACEBOOK