Kosovë
Mustafa e Osmani heshtin, por dikush në LDK mbron Lutfi Hazirin

Vetëm dy ditë para takimit të pestë të grupeve punuese të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në kuadër të arritjes së marrëveshjes për koalicionin qeverisës, nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri nxiti reagime të shumta me një deklaratë të publikuar në profilin e tij në Facebook. Duke e sjellë çështjen e kryeministrit sërish në pikëpyetje, nënkryetari i LDK-së tha se emri i kryeministrit kalon nëpër zyrat e kësaj partie.
“Tashmë dihet që asnjë parti s’mund ta formojë qeverinë e vetme sepse sistemi zgjedhor në Kosovë nuk e mundëson këtë. Ky vend ka nevojë për qeverisje të mirë si për ajër. Por, ajo që është e qartë është se emri i kryeministrit kalon nëpër zyre të LDK’së!”, ka shkruar numri dy i LDK-së.
Ndonëse kjo deklaratë u pa si një favorizim i pozicionit ndaj partnerit të mundshëm të koalicionit VV, e njëjta nuk gjeti përkrahje nga kryetari i partisë Isa Mustafa dhe kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani.
Por pavarësisht mos reagimit të udhëheqësve më të lartë të LDK-së, duket se dikush në këtë parti pajtohet me deklaratat e Lutfi Hazirit.
I kontaktuar nga Periskopi, anëtari i LDK-së, Arben Gashi tha se nuk ka asnjë koment për këtë deklaratë të Lutfi Hazirit, duke shtuar se “kur flet nënkryetari, ka fol partia”.
“Zotëri Haziri është nënkryetar i LDK-së, edhe ai i din mendimet e veta. As nuk qëndroj mbrapa as para asaj deklarate, zotëri Haziri është nënkryetar i LDK-së, unë nuk kam çka me komentu për këtë punë, kur flet kryetari dhe nënkryetarët, ka fol partia”, tha Gashi për Periskopin.
Gashi shtoi se ajo që ka thënë Haziri, po nxirret nga konteksti.
“Po nxirret prej konteksti ajo që zotëri Haziri ka thënë duke u mundu me kriju situata të paqena”, u shpreh Gashi.
Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu i kontaktuar nga Periskopi nuk e komentoi fare këtë deklaratë, duke thënë se nuk ka kohë të flas pasi gjendet në një takim, ndërsa të tjerët anëtarë të partisë si kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani e të tjerë si Kujtim Shala, Avdullah Hoti e Lumir Abdixhiku e Doruntinë Maloku nuk u përgjigjën fare në telefon.
Reagime të tjera nga Lëvizja Vetëvendosje pati edhe nga ekonomisti, Hekuran Murati, e madje edhe nga Avni Zogiani. /PERISKOPI



















