Lajme
Fotoreportazh nga Shqipëria: IMAZHE ANKTHI

Mëngjesi i së martës së 26 nëntorit ishte fatal për një pjesë të Shqipërisë.
Qytetarët u përballën me një realitet të panjohur, të trishtë dhe të frikshëm.
Shqipëria u godit fuqishëm nga një tërmet me magnitudë 6.4 shkallë të Rihterit rreth orës 03:54, pasuar nga lëkundje të vazhdueshme të tokës ditët në vijim.
46 viktima, mijëra persona të lënduar dhe dëme të mëdha materiale – ky është bilanci aktualisht.
Durrësi dhe Thumana e përjetuan më së rëndi.
Ekipet e kërkim-shpëtimit punuan për mbi 60 orë vazhdimisht duke kërkuar në gërmadha, me shpresën që të nxirrnin njerëz që po gjallonin akoma.
Fatos Zogaj, kameramani i mirënjohur i Klan Kosovës, ka realizuar një fotoreportazh emocional i cili dëshmon për thellësinë e dhimbjes njerëzore që e ka kapluar Shqipërinë.
Por ata nuk janë të vetmuar.
I madh e i vogël janë bërë bashkë për t’iu dalë në ndihmë atyre që s’e ndihmonin dot veten. Ndihma në forma të ndryshme – donacione në të holla, ushqim, veshmbathje dhe strehim – u dërguan nga vende të ndryshme, me në krye Kosovën.
Shteti ynë ishte edhe në mesin e atyre që ofruan ekipe të specializuara për situata të jashtëzakonshme nga rajoni dhe Europa që i dolën në ndihmë Shqipërisë.
Shumë ankth dhe vuajtje, me pikëpyetjet e panumërta për fatet njerëzore dhe papritshmërinë e frikshme të natyrës.

































