Kosovë
Bardhyl Mahmuti ka disa pyetje publike rreth ekspertizës për Astrit Deharin

Veprimtari i njohur shqiptar, dikur përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bardhyl Mahmuti, i ka shtruar disa pyetje publike, rreth raportit zviceran për rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
Mahmuti ka vlerësuar të mërkurën se “pas analizës krahasuese të raporteve të ekspertizës zvicerane për rastin ‘ Astrit Dehari’ me variantin në gjuhën shqipe që publikoi Prokuroria Themelore e Prizrenit, dolën në shesh shtrembërimet e mëdha që ishin bërë në funksion të fshehjes të së vërtetës”.
“Ky realitet i hidhur më shtyn të bëj një pyetje publike lidhur me ekspertizën që u ishin bërë para dy vjetësh video incizimet në korridorin e Qendrës së Paraburgimit në Prizren”, ka thënë Mahmuti.
Ai ka pyetur se “kush i ka përkthyer rezultatet e ekspertizës për video incizimet dhe a është bërë analizë krahasuese me tekstin në gjuhën që është shkruar raporti?”.
Mahmuti ka deklaruar se “sqarimi i kësaj çështje mund të hapë rrugën në ndriçimin përfundimtar të vrasjes së Astrit Deharit”.




















